Politico: ShBA-ja i përshpejton planet për të vendosur bomba bërthamore të modernizuara në Evropë - NACIONALE

Politico: ShBA-ja i përshpejton planet për të vendosur bomba bërthamore të modernizuara në Evropë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara e kanë përshpejtuar planin për dërgimin e një versioni më të përpiktë të bombës së tyre bërthamore në bazat e NATO-s në Evropë, sipas një kanali diplomatik amerikan dhe dy personave të afërt me këtë çështje.

Arritja e bombës së modernizuar gravitacionale, B61-12, fillimisht e planifikuar për pranverën e ardhshme, tash është caktuar për muajin dhjetor, u thanë aleatëve të NATO-s zyrtarët amerikanë gjatë një takimi me dyer të mbyllura në Bruksel këtë muaj, sipas kanalit diplomatik, raporton "Politico".

Ky veprim, që e përfshin zëvendësimin e armëve më të vjetra me versionin më të ri në objekte të ndryshme për mbajtjen e tyre në Evropë për përdorim të mundshëm nga bombarduesit dhe aeroplanët luftarakë të ShBA-së dhe të aleatëve, vjen në kohën e tensioneve të rritura për shkak të kërcënimeve të Rusisë për përdorimin e armëve bërthamore në Ukrainë dhe shtimit të shqetësimit se Perëndimi duhet të bëjë më shumë për ta parandaluar kapërcimin e kësaj vije nga Moska.

Modernizimi i programit të bombave B61 është diskutuar haptazi me vite në dokumente buxhetore dhe deklarata publike, dhe zyrtarët e Pentagonit kanë thënë se modernizimet janë të nevojshme për t’u siguruar që rezervat janë të modernizuara dhe të sigurta.

Pasi iu kërkua një koment, zëdhënësi i Pentagonit, Patrick Ryder, u përgjigj: “Përderisa nuk do të diskutojmë për hollësi të arsenalit tonë bërthamor, modernizimi i armëve bërthamore “US B61” ka qenë në proces me vite dhe planet për t’i ndërruar armët më të vjetra me versionet e modernizuara të B61-12-shit janë pjesë e një përpjekjeje të planifikuar gjatë për modernizim. Kjo nuk është assesi e lidhur me ngjarjet e tanishme në Ukrainë dhe nuk është përshpejtuar në asnjë mënyrë.”

Data e arritjes ishte befasi për disa vëzhgues të vjetër, të cilët kanë frikë se ndryshim i saj mund ta nxisë edhe më tepër situatën tashmë të rrezikshme në Evropë. Njoftimi në takimin e Brukselit erdhi disa ditë para fillimit të ushtrimeve vjetore bërthamore të NATO-s. Ushtrimet dyjavore përfundojnë të dielën dhe në to përfshihen rreth 70 aeroplanë.

Të mërkurën, Rusia gjithashtu zhvilloi një ushtrim bërthamor, i cili nga shefi i mbrojtjes i këtij vendi u përshkrua si simulim i një sulmi masiv bërthamor si hakmarrje për një sulm bërthamor ndaj Rusisë, sipas Kremlinit.

Dy persona të afërt me dërgimin e bombave të modernizuara bërthamore të ShBA-së në Evropë e konfirmuan periudhën kohore që u raportua nga kanali diplomatik. Ata kërkuan që të mos u publikohen emrat për shkak të ndjeshmërisë së çështjes./Nacionale

Lajme të ngjashme