Putini mban sot një fjalim të gjatë në një takim “shumë të rëndësishëm”
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të mbajë një fjalim të gjatë, të pasuar nga një diskutim në një forum diskutimesh, “Valdai Club”, në Moskë të enjten, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Ai i tha agjencisë shtetërore të lajmeve, TASS, se ky organizim pritet të jetë shumë i rëndësishëm, por nuk tregoi se për cilat tema saktësisht do të flasë presidenti rus.
Megjithatë, forumi ka njoftuar se titulli i diskutimeve është “Një botë pas-hegjemonike: drejtësi dhe siguri për secilin”,- raporton televizioni CNN.
Fjalimi i vëllimshëm, që Putini do ta mbajë në këtë takim, “është ngjarja kryesore e ditës, e cila, sigurisht, do të duhet të analizohet, studiohet, lexohet e rilexohet për shumë ditë më vonë”, tha zëdhënësi rus gjatë një konference të rregullt për gazetarë.
Në takimin e këtij viti do të marrin pjesë 111 ekspertë, politikanë, diplomatë e ekonomistë nga 41 shtete, sipas një deklarate të Kremlinit.
“Situata e re gjeopolitike dhe ndryshimet në sistemin e Rusisë për bashkëpunim e kanë prekur përfaqësimin gjeografik të të ftuarve në edicionin e vitit 2022 në këtë organizim”, thuhet më tej në deklaratë.
Sipas Kremlinit, Lindja e Mesme, Afrika Veriore, Azia, Amerikan Latine dhe vendet e Grupit të Shteteve të Pavarura (CIS) do të jenë shumë më gjerësisht të përfaqësuara këtë vit, duke shtuar se “përfaqësues të disa shteteve perëndimore gjithashtu do të marrin pjesë në takim./Nacionale

