Zelensky i quan çmenduri taktikat ruse në frontin lindor të Ukrainës
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka akuzuar komandantët rusë për çmenduri në përpjekjet e tyre për ta kapur qytezën lindore ukrainase, Bakhmut.
Qyteteza - që shtrhet në rajonin Donetsk dhe që para luftës kishte rreth 70 mijë banorë – ka qenë me muaj të tërë qendër e sulmeve ruse, raporton televizioni BBC.
Pavarësisht përparimit të forcave ukrainase në drejtim të qytetit kyç, Kherson, presidenti ukrainas tha se sulmet vazhduan me fuqi. Marrja e qytezës Bakhmut do të ishte një fitore simbolike për Rusinë.
“Ky është vendi ku çmenduria e komandës ruse është më e dukshmja. Ditë pas dite, me muaj, ata po i çojnë njerëzit te vdekja e tyre atje, duke e përqendruar nivelin më t ëlartë të sulmeve me artileri”, tha Zelensky.
Oleksiy Arestovych, këshilltar i presidentit ukrainas, tha se forcat ruse kanë kryer tetë sulme për një ditë në Bakhmut para kohës së drekës dhe janë zmbrapsur në secilin rast.
Qyteza Bakhmut shtrihet në një rrugë të rëndësishme që çon në qytetet e kontrolluara nga forcat ukrainase, Sloviansk dhe Kramatorsk. Përderisa Rusia po ballafaqohet me vështirësi në pjesë të tjera, forcat e saj kanë shënuar përparim përreth Bakhmut-it në javët e fundit.
Analistët thonë se kjo qytezë ka pak vlerë ushtarake në vete, edhe pse nëse bie në duart e armikut, do t’i fuste qytetet e tjera brenda rrezes së artilerisë ruse dhe do të ndihmonte për ta ndryshuar narrativën e një konflikti në të cilin forcat e Moskës janë tërhequr në mënyrë graduale.
Trupat e rregullta ruse në rajon raportohet se po përkrahen nga mercenarët paraushtarakë të grupit “Ëagner”. Thuhet se themeluesi i këtij grupi, Yevgeniy Prigozhin, dëshiron që ta marrë nën kontroll qytezën Bakhmut si trofe politik.
Të dielën, Prigozhini e pranoi përparimin e ngadalshëm të forcave ruse në Bakhmut, duke thënë se trupat po përparojnë vetëm 100 deri në 200 metra në ditë.
“Njësitet tona vazhdimisht po ballafaqohen me rezistencën më të ashpër të armikut dhe vërej se armiku është i përgatitur mirë, i motivuar dhe punon me vetëbesim e në mënyrë të harmonizuar. Kjo nuk i parandalon luftëtarët tanë nga lëvizja përpara, por nuk mund të komentoj se sa do të zgjatë”, tha shefi i grupit famëkeq të mercenarëve.
Në anën tjetër, pavarësisht nga sulmet e shpeshta, Zelensky tha se forcat ukrainase janë duke e mbajtur territorin e tyre dhe i çmoi ushtarët e vendit të vet, duke i quajtur heronj.
Është raportuar se ushtria ukrainase ka shënuar përparim në frontin jugor drejt qytetit Kherson, kur Rusia i ka urdhëruar civilët që të evakuohen.
Sidoqoftë, ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksii Reznikov, tha se ritmi i përparimit po pengohet nga moti i lagësht, duke e bërë kundërsulmin më të vështirë se suksesin e shënuar në shtator në frontin lindor./Nacionale

