Para zgjedhjeve në ShBA, Bideni paralajmëron për rrezikun ndaj demokracisë - NACIONALE

Para zgjedhjeve në ShBA, Bideni paralajmëron për rrezikun ndaj demokracisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Në një fjalim gjatë përmbylljes së fushatës zgjedhore para zgjedhjeve të mesit të mandatit, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, të hënën paralajmëroi se një fitore e Partisë Republikane do të mund t’i dobësonte institucionet demokratike të vendit. Ndërkohë ish-presidenti Trump la të kuptohet se ai mund ta paraqesë kandidaturën e tij për një mandat të ri në Shtëpinë e Bardhë që në javën e ardhshme.

Komentet e presidentit amerikan e pasqyruan përçarjen e thellë politike në Shtetet e Bashkuara para zgjedhjeve të 8 nëntorit, të cilat mund ta sjellin fitoren e Partisë Republikane në të dyja dhomat e Kongresit, raporton agjencia “Reuters”, përcjell Nacionale.

“Sot ballafaqohemi me një pikë ndryshimi. Dimë në ashtin tonë që demokracia jonë është në rrezik dhe dimë se ky është momenti juaj për ta mbrojtur atë”, tha Bideni para një turme në Universitetin Shtetëror të Bowie-s.

Parashikuesit e zgjedhjeve kanë thënë që republikanët kanë gjasa që të fitojnë deri në 25 ulëse të reja në Dhomën e Përfaqësuesve me 435 anëtarë, më shumë se mjaftueshëm për ta siguruar shumicën. Analistët gjithashtu kanë thënë se republikanët mund të sigurojnë edhe një ulëse të re në Senat, që u nevojitet për ta marrë kontrollin në dhomën e lartë të Kongresit.

Republikanët e kanë fajësuar administratën e Bidenit për rritjen e çmimeve dhe krimet, që janë dy shqetësimet kryesore të votuesve. Sidoqoftë, disa kandidatë gjithashtu i kanë përhapur pretendimet e pabaza të Trumpit për mashtrim në humbjen e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Disa prej tyre mund të zgjidhen guvernatorë ose administratorë zgjedhjesh në shtete kyçe dhe të luajnë rol qëndror në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Ish-presidenti Trump disa herë ka dhënë shenja se mund të garoj përsëri për postin më të lartë në vend. Në një tubim për t’i përkrahur kandidatët republikanë në Ohio, ai tha se do të bëjë një njoftim javën e ardhshme në pronën e tij në Florida.

Pavarësisht nga përmbushja e premtimeve të fushatës për fuqizimin e infrastrukturës dhe energjisë së pastër, shumë amerikanë kanë qëndrim negativ ndaj punës së presidentit Biden. Vetëm 39 për qind janë të kënaqur me performancën e tij, sipas një sondazhi të agjencisë “Reuters”, të publikuar të hënën.

Nëse republikanët e marrin kontrollin në Dhomën e Përfaqësuesve ose në Senat, kjo do t’u jepte fund përpjekjeve të Bidenit për të vendosur masa mbrojtëse për të drejtën për abord dhe prioriteteve të tjera të Partisë Demokratike, të cilat duhet të miratohen në Kongres.

Lajme të ngjashme