Situatë e rëndë në Greqi, zjarret djegin pyjet e shtëpitë bregdetare - NACIONALE

Situatë e rëndë në Greqi, zjarret djegin pyjet e shtëpitë bregdetare

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Zjarrfikësit grekë kanë luftuar me zjarret në ishullin Lesbos si dhe zjarret e reja në Peloponezin perëndimor dhe në Greqinë veriore, për të dytën ditë të dielën duke evakuuar edhe vendbanimet aty pranë.

Një zjarr i egër që nisi në pyjet malore në Lesbos në detin Egje pranë Turqisë të shtunën, dogji pronat në vendpushimin e plazhit të Vaterës, duke detyruar edhe evakuimin e dy fshatrave të tjerë - Vrisa dhe Stavros.

Ndërkohë, në Peloponëzin perëndimor, në Greqinë kontinentale, një zjarr i ri kërcënoi shtëpitë, duke detyruar evakuimin e fshatit Gryllos

Një anëtar i këshillit të qytetit ka kërkuar ndihmë duke thënë se “flakët kanë rrethuar Krestenën”.

Sipas meteorologëve, në disa pjesë të Greqisë ditën e dielë temperaturat arritën në 40 Celsius, pasi një valë e nxehë që ka goditur Evropën nisi të përhapet në lindje dhe pritet të zgjasë edhe javën e ardhshme.

Greqia është duke vuajtur nga zjarret për herë të dytë në këtë verë.

Edhe javën e kaluar një zjarr i madh në malet e Athinës, dëmtoi shtëpitë dhe detyroi largimin e qindra personave.

Vitin e kaluar, zjarret shkatërruan rreth 300,000 hektarë pyje dhe shkurre në të gjithë Greqinë gjatë valës më të keqe të të nxehtit në vend në 30 vjet.

Petteri Taalas, sekretar i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Meteorologjisë, tha se valët më të shpeshta dhe më ekstreme të vapës janë pasojë e pashmangshme e ngrohjes globale.

“Në të ardhmen, këto lloje të valëve të vapës do të jenë normale. Do të shohim ekstreme më të fuqishme. Kemi liruar aq shumë dioksid karboni në atmosferë, saqë trendi negativ do të vazhdojë me dekada”, tha ai

Lajme të ngjashme