Pamje prekëse nga zjarret në Greqi, Francë e Spanjë: Kafshë të djegura për së gjalli - NACIONALE

Pamje prekëse nga zjarret në Greqi, Francë e Spanjë: Kafshë të djegura për së gjalli

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Të penguar nga era e fortë, zjarrfikësit në Greqi u ballafaquan me vështirësi gjatë luftës me zjarret e reja të mërkurën përreth kryeqytetit Athinë, ndërsa shtetet e tjera në Evropën Jugore po e vlerësojnë dëmin e shkaktuar nga vala e ashpër e vapës dhe zjarret dhe po përgatiten për kthimin e temperaturave të larta.

Dy zjarre të reja shpërthyen në perëndim të Athinës pas përpjekjeve për të ndalur një zjarr në periferi të qytetit, që u përhap në zona banimi dhe e bëri të detyrueshëm evakuimin e qindra banorëve.

“Duke i marrë parasysh kushtet e krijuara nga ndryshimet klimatike, kemi zjarre të reja duke u zgjeruar”, tha ministri i Mbrojtjes Civile dhe Ndryshimeve Klimatike, Christos Stylianides. “Kushtet në të cilat ne po operojmë, janë jashtëzakonisht të pafavorshme. Era e ka kaluar shpejtësinë prej 110 kilometrash në orë në disa zona”, shtoi ai.

Zjarre pati edhe në pjesë të tjera të Evropës Jugore të mërkurën, por autoritetet në Francë, Spanjë dhe Portugali raportuan për përmirësim të kushteve pas uljes së temperaturave.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e vizitoi rajonin më të prekur nga zjarret, Gironde, ku u takua me disa zjarrfikës që kanë luftuar kundër zjarrit.

“Ju keni shpëtuar jetë”, tha ai, duke ua shtrënguar duart disa zjarrfikësve të radhitur për vizitën e tij.

Komandanti i brigadës së zjarrfikësve në Gironde, Marc Vermeulen, e informoi presidentin për përpjekjet e vështira të punëtorëve të tij për ta vënë zjarrin nën kontroll. “Kurrë nuk kemi parë diçka si kjo më parë”, tha ai, duke theksuar se drurët 20-vjeçarë të pishave “po shpërthejnë në nxehtësi ekstreme”.

Greqia nuk ka pasur temperatura shumë të larta si në Evropën Perëndimore, përfshirë Britaninë e Madhe, por zyrtarët e zjarrfikësve thonë se të nxehtët dhe thatësia e kësaj vere, që kanë zgjatur disa javë, si dhe rritja afatgjate e temperaturave e kanë rritur rrezikun e përgjithshëm për zjarre në pyje.

Të paktën dy persona u dërguan në spital në kryeqytetin grek me probleme të frymëmarrjes dhe djegie të lehta. Helikopterët hodhën ujë në lagjet periferike në përpjekje për ta shuar zjarrin.

Ulja e temperaturave në Spanjë dhe Portugali u solli lehtësim zjarrfikësve, por parashikohet që ato të arrijnë përsëri në 40 gradë në ditët e ardhshme.

Petteri Taalas, sekretar i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Meteorologjisë, tha se valët më të shpeshta dhe më ekstreme të vapës janë pasojë e pashmangshme e ngrohjes globale. “Në të ardhmen, këto lloje të valëve të vapës do të jenë normale. Do të shohim ekstreme më të fuqishme. Kemi liruar aq shumë dyoksid karboni në atmosferë, saqë trendi negativ do të vazhdojë me dekada”, tha ai./Përktheu: Nacionale

Lajme të ngjashme