Situata në centralin bërthamor në Ukrainë “kritike’, përgatitje për më të keqen - NACIONALE

Situata në centralin bërthamor në Ukrainë “kritike’, përgatitje për më të keqen

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Shpëtimtarët ukrainas të emergjencës janë duke marrë pjesë në një stërvitje në rast të një incidenti të mundshëm bërthamor në centralin e Zaporizhzhia, pasi Ukraina thotë se situata në termocentral po i afrohet “kritikes”.

E ndërkohë që forcave ruse u është kërkuar të kthejnë kontrollin e Centralit për shkak të rreziqeve, stafi atje kanë thënë për BBC-në se po mbahen nën kërcënim të armëve.

Për dy javët e fundit rreth centralit ka pasur granatime të rënda, me palët që fajësojnë njëra-tjetrën.

NATO është organizata më e fundit ndërkombëtare që ka kërkuar lejimin e inspektorëve të Kombeve të Bashkuara në centralin Zaporizhzhia, duke pretenduar se konfiskimi i tij përbën një kërcënim serioz për Ukrainën dhe vendet fqinje.

Zyrtarët thonë se centrali mund të ndërpritet nga energjia pasi Moska përpiqet të ridrejtojë energjinë elektrike në Krime, të cilën e aneksoi tetë vjet më parë.

“Është e pamundur të sigurohet siguria e centralit bërthamor ndërkohë që forcat pushtuese ruse janë atje”, është shprehur Denys Monastyrskyy, ministri i Brendshëm i Ukrainës.

"Është shqetësimi kryesor që ne të gjithë duhet ta kuptojmë," ka shtuar ai.

Por, në pamundësi për t'i detyruar rusët të largohen nga centrali më i madh bërthamor në Evropë, vendi po përpiqet të përgatitet për më të keqen, nëse ndodh.

Cilat janë rreziqet e një aksidenti bërthamor në centralin e Zaporizhzhia-s?

Agjencia e inteligjencës mbrojtëse e Ukrainës tha se Rusia është duke përgatitur "provokime" të reja në centralin më të madh bërthamor të Evropës, duke thënë se trupat ruse kishin vendosur një obus vetëlëvizës Pion jashtë qytetit dhe sipër i kanë vendosur një flamur ukrainas.

Rafael Grossi, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), i ka përshkruar granatimet e fundit në centralin bërthamor më të madh në Evropë si "jashtë kontrollit" dhe "jashtëzakonisht serioze".

Sipas vëzhguesit të Kombeve të Bashkuara,dhuna në mes të luftës në Ukrainë "nënvizon rrezikun shumë real të katastrofës bërthamore".

Ndërsa Rusia dhe Ukraina fajësojnë njëra-tjetrën duke akuzuar për "terrorizëm bërthamor" - Grossi bëri thirrje për "përmbajtje maksimale" rreth zonës.

Ndërkohë, ekspertët kanë paralajmëruar se përfshirja në konflikt e impiantit mund të rezultojë në një aksident bërthamor të ngjashëm me atë në Fukushima, Japoni në 2011.

Çfarë ka ndodhur deri më tani?

Kryebashkiaku i Enerhodarit, Dmytro Orlov tha se banorët vendas i kishin thënë atij për granatime të reja ruse në drejtim të zonës industriale të qytetit dhe uzinës Zaporizhzhia.

Nga ana tjetër, një zyrtar lokal i instaluar nga Rusia, Vladimir Rogov ka shkruar në Telegram se forcat ukrainase po bombardonin centralin.

"Sipas dëshmitarëve, shpërthimet mund të dëgjohen përsëri në qytet," ka shkruar Rogov, duke shtuar se predhat kishin rënë në afërsi të centralit.

Kujtojmë se, sipas raportimeve të Reuters, rreth një javë më para granatimet kanë goditur një linjë të tensionit të lartë që futet në centralin bërthmor.

Megjithëse u konfirmua se nuk ka pasur ndonjë rrjedhje radioaktive si rezultat i kësaj goditjeje, operatorët u detyruan të shkëpusin një nga reaktorët e zonës si masë sigurie. Ndërsa, një ditë pas operatori bërthamor i Ukrainës Energoatom tha se raketat ruse kanë dëmtuar tre monitorues të rrezatimit në objektin e ruajtjes së karburanteve bërthamore të shpenzuara.

Lidhur me këtë, lektori i energjisë bërthamore në Universitetin e Kembrixhit Tony Roulstone ka thënë se një goditje e drejtpërdrejtë ndaj secilit prej këtyre reaktorëve mund të shkaktojë rrjedhje.

"Ato përforcime nuk janë të dizajnuara kundër armëve të nivelit ushtarak," tha ai, duke shtuar se “fuqia bërthamore dhe lufta nuk duhet të përzihen."

Edhe profesoi Corkhill ka thënë se “sa më shumë raketa të gjuhen në drejtim të një centrali bërthamor, aq më i lartë është rreziku i një aksidenti katastrofik bërthamor.”

"Nëse furnizimi me energji elektrike është i dëmtuar, por gjeneratorët me naftë janë funksionalë, kjo i jep kohë të mjaftueshme për të vënë reaktorin në mbyllje të ftohtë. Por nëse dëmtohet furnizimi me energji elektrike dhe gjeneratorët rezervë, atëherë gjasat për një aksident janë shumë të larta."

Ai kujton se, "aksidenti i Fukushimës përhapi radioaktivitetin në qindra kilometra - kështu që e njëjta gjë mund të ndodhë në Zaporizhzhia."

Lajme të ngjashme