S’ishte përdorur moti: Ç’është Neni 99 i OKB-së që u aktivizua nga Guterresi për Gazën? - NACIONALE

S’ishte përdorur moti: Ç’është Neni 99 i OKB-së që u aktivizua nga Guterresi për Gazën?

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Quhet “Neni 99” dhe nuk është përdorur me dekada. Deri këtë javë.

Pas shpeshtimit të sulmeve të Izraelit dhe eskalimit të numrit të viktimave civile në Gaza, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, aktivizoi këtë javë një kompetencë të ushtruar rrallë për ta paralajmëruar Këshillin e Sigurimit për një “katastrofë humanitare” të afërt në Gaza. Ai u bëri thirrje vendeve anëtare për të kërkuar armëpushim të menjëhershëm humanitar në enklavën palestineze.

Guterresi e shfrytëzoi Nenin 99 të Kartës së OKB-së – i përdorur për herë të fundit para më shumë se gjysmë shekulli – i cili thotë se sekretari i Përgjithshëm mund ta informojë Këshillin e Sigurimit për çështje të cilat ai beson se i rrezikojnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, raporton agjencia “Associated Press”.

Neni 99 është dispozitë e Kartës së Kombeve të Bashkuara – kushtetutë e OKB-së. Në të thuhet se sekretari i Përgjithshëm – që është kryediplomat i OKB-së – mund të sjellë para vëmendjes së Këshillit të Sigurimit “çfarëdo çështjeje e cila, sipas mendimit të tij, mund ta kërcënojë mbajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”.

Ky nen i jep pushtet të rëndësishëm shtesë sekretarit, pasi pushteti i vërtetë në OKB mbahet nga 193 anëtarët e tij dhe sidomos nga 15 shtetet që shërbejnë në Këshillin e Sigurimit.

Neni 99 përdoret tepër rrallë. Herën e fundit ishte shfrytëzuar gjatë luftimeve më 1971 që kishin çuar në formimin e shtetit të Bangladeshit dhe ndarjen e tij nga Pakistani.

Guterresi e shfrytëzoi Nenin 99, sepse ai e sheh situatën në Gaza si në rrezik nga “kolapsi i plotë” i sistemit humanitar dhe rendit civil në këtë territor.

Pas letrës së Guterresit, reaguan menjëherë Emiratet e Bashkuara Arabe, duke paraqitur draft-rezolutë për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza. Pritet që kjo rezolutë të hidhet në votim në Këshillin e Sigurimit të premten.

Sidoqoftë, Shtetet e Bashkuara, aleate të ngushta të Izraelit dhe vend me të drejtën e vetos ndaj rezolutave të OKB-së, nuk e ka mbështetur thirrjen për armëpushim. Zëvendësambasadori i ShBA-së në OKB, Robert Wood, tha se rezoluta e Këshillit të Sigurimit në këtë kohë “nuk do të ishte e dobishme”. Këto fjalë mund të jenë shenjë se ShBA-ja do ta përdorë të drejtën e vetos, por zyrtarisht nuk ka njoftuar se do të veprojë në këtë mënyrë.

Lajme të ngjashme