Si u bë një ish lëvizje neo-naziste fituese e zgjedhjeve në Suedi? - NACIONALE

Si u bë një ish lëvizje neo-naziste fituese e zgjedhjeve në Suedi?

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Në zgjedhjet e mbajtura të dielën në Suedi, rezultatet kanë treguar se më shumë se një në pesë suedezë kanë votuar partinë radikale anti-imigruese Demokratët e Suedisë (SD).

SD, tani u bë partia e dytë më e madhe politike në vend, ndërsa pritet që 73 deputetët e saj të parashikuar, të luajnë një rol vendimtar në mbështetjen e një koalicioni të krahut të djathtë në pushtet - nëse jo një pozicion formal në vetë qeverinë.

Kjo do të ishte hera e parë që partia nacionaliste mund të ngjitet në krye të pushtetit në Suedi.

E BBC shkruan se, ajo që e solli SD-në në qendër të politikës suedeze, ishte një fushatë zgjedhore me fokus në çështjet rreth emigracionit dhe krimit të dhunshëm.

Sipas shifrave të fundit zgjedhore, SD ka fituar 20.6% të votave të hedhura të dielën - duke e bërë atë partinë më të madhe në një bllok të partive të krahut të djathtë - tani me një shumicë kolektive në parlament.

"Kjo është dramatike duke pasur parasysh se ata hynë në parlament vetëm në vitin 2010," është shprehur për BBC-në, shkencëtari politik i Universitetit të Goteborgut Johann Martinsson.

"Suedia dikur kishte një sistem partiak jashtëzakonisht të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm. Tre zgjedhje më vonë - dhe ata janë partia e dytë më e madhe," thotë ai.

Martinsson e përshkruan partinë si "kryesisht një parti kundër imigracionit, anti-multikulturore, nacionaliste" - megjithatë nuk e etiketon atë si ekstremis të djathtë.

E themeluar në vitin 1988, SD ka luftuar për dy dekada rresht për të fituar vota të mjaftueshme për të zgjedhur ndonjë deputet. Por që nga hyrja në parlament në vitin 2010, partia ka vazhduar të rritet.

Që nga e diela, kjo parti ka zhvendosur partinë tjetër të Moderuarit, si partinë më popullore të qendrës së djathtë në vend.

E këto rezultate, Martinsson i cilëson si një "vijë ndarëse" në historinë suedeze.

Udhëheqësi aktual i SD, Jimmie Akesson, i cili mori detyrën në vitin 2005, shpalosi një politikë të "tolerancës zero" kundër racizmit dhe ekstremizmit dhjetë vjet më parë - dhe në vitin 2015 ai pezulloi të gjithë krahun rinor të partisë për lidhjet e saj me të djathtën ekstreme.

Partia gjithashtu ka pësuar gjithashtu një riemërtim të gjerë: duke zëvendësuar logon e një “flake të ndezur” me një lule. Por këto ndryshime, nuk kanë mjaftuar për t'i dhënë fund akuzave se partia përbën një kërcënim për grupet minoritare të Suedisë.

Ato përfshijnë Willie Silberstein, kryetarin e Komitetit Suedez Kundër Antisemitizmit - i cili është bërë vetë një objektiv i abuzimit antisemitik ditët e fundit pasi përdori pozicionin e tij për të kritikuar publikisht SD-në në një intervistë televizive.

"Komiteti ka një problem me partitë që janë themeluar nga nazistët. Ky nuk është një opinion - ky është një fakt," tha ai për BBC, duke shtuar se, "nëse një parti është kaq e mbushur me njerëz që duhet të përjashtohen sepse janë nazistë - kjo thotë diçka për atë parti."

Në intervistë ai tregoi për një studim të raportuar gjerësisht, të publikuar muajin e kaluar nga grupi suedez i kërkimit Acta Publica që pretendonte se kishte identifikuar 289 politikanë nga partitë më të mëdha që kishin shprehur pikëpamje që mund të konsideroheshin raciste apo edhe naziste. E sipas këtij raporti, shumica dërrmuese e tyre - 214 - ishin anëtarë të SD.

"Më frikëson se ata mund të kenë një ndikim të madh në politikën suedeze," u shpreh Silberstein. "Unë mendoj jo vetëm për pakicën hebreje, por për emigrantët në përgjithësi," ka shtuar ai.

Partia mohon akuzat për racizëm

"Gjithçka ishte para se të lindja unë," thotë Emil Eneblad, nënkryetar i lëvizjes rinore të SD, duke shtuar se, “njerëzit na akuzuan për gjëra të këqija në zgjedhje”.

Ai pretendon se në zgjedhjet e së dielës, partia pothuajse kishte dyfishuar mbështetjen e saj midis të rinjve - diçka që ai e vlerëson me fokusimin në tre çështje në veçanti: sigurinë, punësimin dhe emigracionin.

“Të rinjtë kërkojnë diçka tjetër”, tha ai për BBC-në.

Ndërkohë, politologu Johann Martinsson thotë se çështjet rreth emigracionit kanë zier për një kohë të gjatë, duke theksuar se Suedia ka marrë numrin më të lartë azilkërkuesëve në botë gjatë viteve të fundit.

E duket se kjo qasje dhe një rritje e perceptuar e krimit të dhunshëm mund të shpjegojë rritjen e mbështetjes për SD-në, një parti e cila jo vetëm që ka bërë fushatë për të dyja çështjet për vite me radhë, por është bërë e njohur me pretendimin e saj të diskutueshëm se të dyja këto çështje - krimi dhe emigracioni janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.

Lajme të ngjashme