Zgjedhjet në Suedi: E djathta ekstreme në avantazh, kryeministrja Andersson paralajmëron dorëheqjen
Në një garë të ngushtë elektorale në Suedi, duket se fituese ka dalë opozita e krahut të djathtë.
Sipas votave të numërura deri më tani fitues të zgjedhjeve janë demokratët suedezë të ekstremit të krahut të djathtë, të cilët mund të bëhen pjesë e qeverisë për herë të parë, duke shënuar kështu një ndryshim historik.
Socialdemokratët e kryeministres Magdalena Andersson kanë dominuar politikën suedeze që nga vitet 1930, por tani me pothuajse të gjitha votat e numëruara, duket se opozita e krahut të djathtë të Suedisë ka fituar më një diferencë të vogël në parlament.
Sipas Deutche Welle, nisur nga rezultatet e deritanishme, kryeministrja suedeze Magdalena Andersson ka njoftuar se rezultatet ishin mjaft të qarta dhe se ajo do të japë dorëheqje, duke nënvizuar rëndësinë që Suedia të ketë sa më shpejtë të jetë e mundur një qeveri të re.
Ndërkohë, udhëheqësi i Demokratëve nacionalistë të Suedisë, Jimmie Akesson, ka shpallur fitoren duke u zotuar të vë “Suedinë të parën”.
Mendohet se posti i kryeministrit do t'i takojë kreut të koalicionit, Ulf Kristersson.
Rezultati i zgjedhjeve nuk është konfirmuar ende zyrtarisht, por deri më tani bëhet e ditur se, të moderuarit, demokratët suedezë, kristiandemokratët dhe liberalët mbajnë një avantazh prej dy vendesh ndaj socialdemokratëve qeverisës.
Deri në orët e vona të së mërkurës, në vend janë numëruar rreth 99% e votave, e me konfirmimin e rezultateve opozita e krahut të djathtë do të fitojë 176 vende në parlamentin prej 349 vendesh.
Demokratët e Suedisë - një parti që mbështetet në retorikën anti-imigruese dhe nacionaliste, nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e një qeverie.

