Shqetësuese: Dy mësues largohen nga shkolla në Gjermani, nxënësit përdornin përshëndetje naziste
Dy mësues në lindje të Gjermanisë u munduan që t’i kundërshtonin aktivitetet e së djathtës ekstreme të nxënësve në shkollën e mesme ku punonin. Ata këshilluan ngacmues që kishin kërcënuar se do t’i rrihnin shokët e klasës që ishin emigrantë. Dhanë më shumë mësime për të kaluarën naziste të vendit. Megjithatë, asnjëra prej këtyre nuk dha ndihmë.
Të dëshpëruar, Laura Nickel dhe Max Teske shkruan një letër publike, në të cilën ata e përshkruan atmosferën e frikësimit në Shkollën “Mina Witkojc” në Burg. Ata raportuan për nxënës që përshëndeten me njëri-tjetrin me përshëndetje naziste, vizatim të simbolit të nazizmit në tavolinat e tyre dhe lëshim të muzikës me tekste raciste në korridore, raporton agjencia “Associated Press”.
“Mësuesit dhe nxënësit që luftojnë haptazi kundër nxënësve të së djathtës ekstreme dhe mësuesit kanë frikë për sigurinë e tyre”- thuhet në dy letrën e mësuesve, të cilën ua dërguan gazetave lokale. “Problemi duhet të njihet dhe të luftohet haptazi. Shkollat duhet të jenë vende pa frikë, plot mendjehaptësi dhe siguri për secilin dhe nuk mund të ofrojnë strehë për armiqtë e demokracisë”- thuhet më tej në letrën e dy mësuesve.
Megjithatë, zonja Nickel, që punonte si mësuese e anglishtes dhe e historisë në atë shkollë, dhe Teske, që ishte mësues i matematikës dhe i gjeografisë, nuk ishin të përgatitur për reagimet që i nxiti thirrja e tyre për veprim. Përmes një letre të një grupi anonim të prindërve u kërkua shkarkimi i dy mësuesve. Letrat me fotografitë e tyre e me mbishkrimin “Pir**uni për në Berlin” u ngjitën në shtyllat e ndriçimit afër kampusit të shkollës.
Të dekurajuar edhe më shumë nga ajo që ata e quajnë mungesë e përkrahjes nga kolegët, drejtori i shkollës dhe administratorët lokalë, dy mësuesit njoftuan në fund të vitit shkollor, para dy javëve, se po largoheshin nga shkolla dhe nga qyteza që ndodhet 116 kilometra në juglindje të Berlinit.
“Deklaratat ekstremiste të së djathtës ekstreme, veprimet, sloganet, homofobia dhe seksizmi ishin dhe janë rendi i ditës në këtë shkollë”- tha zonja Nickel, e cila punoi në këtë shkollë për katër vjet.
As shkolla, as autoriteti lokal i shkollave nuk iu përgjigjën kërkesave të agjencisë “Associated Press” për ta komentuar dorëheqjen e dy mësuesve.
Sidoqoftë, përvoja e dy mësuesve ka shkaktuar frikë në Berlin se e djathta ekstreme është përhapur shumë më shumë në disa pjesë të ish-Gjermanisë Lindore se që mendojnë shumë njerëz. Ekspertët thonë se sidomos në shtetin jugor të Brandenburgut, ku ndodhet qyteza Burg, një rrjet i tërë i salloneve të tatuazheve, klubeve të natës, grupeve të të rinjve dhe klubeve të tifozëve të klubit të futbollit FC Energie Cottbus përhapin mesazhe të partisë së të djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë.
