Shqetësuese: Kundër Kosovës, rritet shumë përkrahja për të djathtën ekstreme në Gjermani - NACIONALE

Shqetësuese: Kundër Kosovës, rritet shumë përkrahja për të djathtën ekstreme në Gjermani

3 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Partia gjermane e së djathtës ekstreme, “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) po merr përkrahje të madhe në anketa, duke i alarmuar partitë tradicionale, dhe është në rrugë të mirë për t’i fituar zgjedhjet në tri shtete gjermane në lindje të vendit përmes thirrjeve për ta ndërprerë pranimin e të huajve.

Sipas anketave AfD-ja ka përkrahje mes 17 e 19 për qind në nivel kombëtar, rreth rekordit për këtë parti, e cila tani po konkurron me socialdemokratët e kancelarit Olaf Scholz për vendin e dytë në disa anketa. Kjo përkrahje është pothuajse dyfish më e lartë se votat në zgjedhjet e vitit 2021, kur 10,3 për qind e votuesve gjermanë e kishin votuar AfD-në.

Për herë të fundit, AfD-ja kishte përkrahje të tillë më 2018, pas krizës së imigrantëve në Evropë. Kësaj radhe, partia nacionaliste e anti-imigrante ka përfituar edhe nga përplasjet brenda koalicionit trepartiak të Scholz-it, raporton agjencia “Reuters”.

Partitë e së djathtës ekstreme kanë fituar terren në mbarë Evropën. Në Francë, e djathta ekstreme është bërë rivale më e fuqishme në kutitë e votimit, ndërsa në Itali e Suedi, ajo tashmë është në pushtet.

Megjithatë, rritja e AfD-së, e cila e kritikon pushtetin në Gjermani për nivel të lartë të imigrantëve, rritje të inflacionit dhe tranzicion të kushtueshëm drejt energjisë së gjelbër, prek një nerv posaçërisht të ndjeshëm në vend për shkak të së kaluarës naziste të Gjermanisë.

Agjencia gjermane për inteligjencë të brendshme e ka cilësuar “ekstremist” grupin rinor të AfD-së, duke thënë se ky grup ka propaganduar për një “koncept racor të shoqërisë”. Udhëheqësi i kësaj agjencie e ka akuzuar AfD-në, e cila është kundër sanksioneve ndaj Rusisë, për ofrimin e ndihmës për përhapjen e propagandës ruse rreth luftës në Ukrainë.

Kundër Kosovës

Në janar, shefi i një grupi punues të AfD-së, Petr Bystron, publikoi një komunikatë për shtyp në uebfaqen e grupit parlamentar federal të partisë, në të cilën thuhej: “Grupi parlamentar i AfD-së i bën thirrje qeverisë federale (…) që ta anulojë njohjen e Kosovës”, raporton mediumi hulumtues gjerman,“Correctiv”.

Bystroni e propozoi këtë kërkesë në mënyrë të përsëritur në grupin parlamentar të AfD-së, por deri më tani pa sukses. Në një takim të grupit parlamentar në fund të prillit, megjithatë, deputetët e refuzuan miratimin e kërkesës përmes votimit të fshehtë.

Petr Bystron është vënë re disa herë për afërsinë e tij me Rusinë. Në shkurt, mediumi “Correctiv” raportoi për një udhëtim sekret të deputetit gjerman në Bjellorusi.

Më 4 mars, një draft i kërkesës u publikua në mediumin serb, “Novi Standard”, edhe pse dokumenti nuk ishte votuar deri në atë kohë. Teksti i kërkesës ishte tërësisht në linjë me nacionalistët serbë dhe me pozicionin e Rusisë ndaj Kosovës.

“Pseudo-shteti i Kosovës ka dështuar – i ndarë pas një lufte agresioni të NATO-s kundër Republikës Federale të Jugosllavisë (1999), e cila e shkeli të drejtën ndërkombëtare, dhe i njohur nga shumë shtete perëndimore pavarësisht nga shpallja e njëanshme e pavarësisë më 2008”- thuhet në tekstin e propozimit.

Lajme të ngjashme