Shpëtimi i një fëmije pas gjashtë orësh nën rrënoja - pamje të rënda nga Ukraina
Shpëtimtarët në Ukrainë janë duke luftuar me kohën ndërsa vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit për civilët e ngecur nën rrënoja pas sulmeve ruse.
Në një video të shpërndarë nga The Sun, duken pamjet kur shpëtimtarët nxjerrin një fëmijë nga rrënojat e një ndërtese të shkatërruar në Mykolaiv pas gjashtë orësh.
Kreu i Administratës Shtetërore Rajonale të Mykolaiv-it, ka njoftuar se djali 11-vjeçar është shpëtuar pasi kishte kaluar gjashtë orë poshtë rrënojave të ndërtesës pesëkatëshe e cila ishte shkatërruar plotësisht nga një raketë ruse.
Përmes një postimi në Telegram, Vitaliy Kim ka thënë se, "fëmija ka marrë kujdes mjekësor ndërsa është duke vazhduar kërkimi edhe për shtatë persona të tjerë”.
Kujtojmë se sot në mëngjes, Rusia ka vazhduar sulmet edhe në Kiev, ku guvernatori rajonal, Oleksiy Kubela, publikoi një përditësim të informatave në rrjetin “Telegram” duke thënë se:
“Kemi sulme në njërin nga komunitetet e rajonit. Më herët – një sulm i dronëve kamikazë. Punëtorët e shpëtimit tashmë janë duke punuar”, shkroi Kuleba, dhe u bëri thirrje banorëve që të qëndrojnë në strehimore.
Ndërsa, agjencia e lajmeve, "Associated Press", raportoi se dronët e përdorur në këto sulme, ishin të prodhimit iranian.
