Vendet e NATO-s do ta forcojnë mbrojtjen e Ukrainës pas sulmeve masive ruse - NACIONALE

Vendet e NATO-s do ta forcojnë mbrojtjen e Ukrainës pas sulmeve masive ruse

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Pas një sërë sulmesh raketore ruse, aleatët e Ukrainësm të udhëhequr nga NATO-ja, e kanë njoftuar dërgimin e armëve të avancuara të mbrojtjes ajrore në Kiev.

Në armatimin e premtuar nga Britania e Madhe, Kanadaja, Franca dhe Holanda përfshihen raketa dhe radarë. Një premtim për dërgim të armëve është bërë edhe nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Gjermania tashmë ka dërguar një sistem të lartë të teknologjisë në Ukrainë.

Premtimet për më shumë armë mbrojtëse për Ukrainën vijnë pas një takimi të mbajtur nga aleatët në Bruksel.

Ky samit është parë nga Kievi si “historik”, ndërsa vetëm pak orë më vonë, forcat ruse e goditën qytetin jugor, Mykolaiv, ku kryetari i qytetit, Oleksandr Senkevich, ka bërë të ditur se rusët kanë goditur një ndërtesë banimi pesëkatëshe.

Java e fundit ka qenë veçanërisht intensive në Ukrainë, pasi të hënën dhe të martën vendi u përball me sulmet më të rënda, me lëshimin e më shumë se 100 raketave nga forcat ruse, të cilat i goditën infrastrukturën energjetike dhe objektiva të tjera joushtarake, përfshirë një kënd lojërash për fëmijë.

Në ditën e parë të sulmeve u vranë të paktën 19 persona, ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin, tha se sulmet janë hakmarrje për urën e sulmuar të Krimesë, akt për të cilin e fajëson agjencinë e inteligjencës së Ukrainës.

Ndër vendet që do të dhurojnë sisteme mbrojtjeje për Ukrainën është edhe Mbretëria e Bashkuar, e cila do të japë raketa dhe qindra dronë ajrorë për të mbështetur mbledhje të informacionit. Përveç këtyre, Britania do të japë edhe 18 armë artilerie.

Lajme të ngjashme