Shpërthim në njësinë ushtarake irakiane të lidhur me Iranin, raportohet për viktima - NACIONALE

Shpërthim në njësinë ushtarake irakiane të lidhur me Iranin, raportohet për viktima

1 javë më parë

nga Nasuf Abdyli

Një shpërthim ka goditur një bazë ushtarake irakiane që strehon paramilitarë pro-iranianë, sipas burimeve të sigurisë.

Shpërthimi i së premtes mbrëma ndodhi në bazën “Calso”, ku ish-grupi paramilitar pro-iranian, “Hashed al-Shaabi”, tani i integruar në ushtrinë e rregullt irakiane, është i vendosur, i thanë agjencisë franceze të lajmeve, AFP, një burim i Ministrisë së Brendshme dhe një zyrtar ushtarak, raporton gazeta “The Guardian”.

Zyrtari i ministrisë tha se nga ky sulm u vra një person dhe tetë të tjerë u plagosën, ndërsa burimi ushtarak tha se tre pjesëtarë të personelit ushtarak irakian u plagosën, sipas agjencisë AFP.

Agjencia “Reuters” citoi dy zyrtarë të kenë thënë se shpërthimi u shkaktua nga një sulm ajror, por nuk mund të tregonin se kush ishte përgjegjës.

Në një deklaratë, grupi “Hashed al-Shaabi” tha se sulmi kishte shkaktuar “humbje materiale” dhe pasoja në njerëz, pa e saktësuar numrin e të plagosurve. Organizata tha se një shpërthim i kishte goditur hapësirat e saj.

“Shpërthimi goditi pajisje, armë dhe automjete” – tha burimi i Ministrisë së Brendshme.

Në rrjete sociale, ushtria amerikane tha se forcat e saj nuk ishin prapa sulmit të raportuar. “Shtetet e Bashkuara nuk kanë kryer sulme ajrore në Irak sot” – shkroi në rrjetin X Komanda Qendrore e ShBA-së, duke shtuar se raportimet se forcat amerikane kishin kryer një sulm “nuk ishin të vërteta”.

Burimet e sigurisë nuk treguan se kush ishte përgjegjës për sulmin e as nëse bëhej fjalë për sulm me dron. Asnjë grup nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për sulmin.

Grupi “Hashed al-Shaabi”, aleancë e grupeve të armatosura kryesisht shiite, e formuar për të luftuar kundër ISIS-it, tani është pjesë e forcave irakiane të sigurisë. Më parë është njohur edhe me emrat Forcat e Mobilizimit Popullor, Komiteti i Mobilizimit të Popullit dhe Njësitë e Mobilizimit Popullor.

Të premten, një sulm për të cilin u fajësua Izraeli vuri në shënjestër një bazë ushtarake afër qytetit Isfahan të Iranit. Kjo dukej si hakmarrje për përpjekjen e dështuar të Iranit që ta bombardonte Izraelin me dronë e raketa para disa ditëve./Nacionale

Lajme të ngjashme