Shkrirja e akullnajave në Alpe ndryshon kufirin midis Zvicrës e Italisë
Një akullnajë e shkrirë në Alpe ka zhvendosur kufirin midis Zvicrës dhe Italisë, duke sjellë mosmarrëveshje për vendndodhjen e një shtëpize malore italiane.
Vija kufitare mes vendeve deri tani ishte përgjatë një ndarjeje ku rridhte uji. Por tërheqja e akullnajës Theodul ka bërë që pellgu ujëmbledhës të zvarritet poshtë Rifugio Guide del Cervino, një shtëpizë për vizitorët pranë majës 3,480 metra të Testa Grigia.
The Guardian shkruan se kjo strehë e vizitorëve ishte ndërtuar në një dalje shkëmbore në vitin 1984, me 40 shtretër dhe tavolita të gjata prej druri – me restorantin që ishte tërësisht në territorin italan, por tani dy të tretat e shtëpizës, përfshirë shumica e shtretërve dhe restoranti teknikisht janë zhvendosur në Zvicrën jugore.
E kjo çështje ka ndezur diskutim për arsye se zona e cila mbështetet në turizëm ndodhet në majë të një prej vendpushimeve më të mëdha të skive në botë që po vazhdon të zhvillohet me tej, me një teleferik i cili është duke u ndërtuar pak metra larg.
Është bërë e ditur se në nëntor të vitit 2021 ishte arritur një marrëveshje në Firence, por ajo do të zbulohet për publikun vetëm pasi të vuloset nga qeveria zvicerane gjë që nuk pritet të ndodhë përpara vitit 2023.
Alain Wicht, një nga zyrtarët kryesor të kufirit në agjencinë kombëtare të hartave të Zvicrës Swisstopo, i cili kishte marrë pjesë në negociatat për shtëpizën, tha se të dyja vendet kanë bërë lëshime në mënyrë që të gjendet një zgjidhje.
“Edhe nëse asnjëra palë nuk doli fituese, të paktën askush nuk humbi”, është shprehur ai.
Aty ku kufiri italo-zviceran përshkon akullnajat alpine, kufiri ndjek vijën e pellgut ujëmbledhës. Por akullnaja Theodul humbi pothuajse një të katërtën e masës së saj midis viteve 1973 dhe 2010. Kjo e ekspozoi shkëmbin poshtë në akull, duke ndryshuar ndarjen e kullimit dhe duke i detyruar dy fqinjët të rivizatojnë një shtrirje 100 metra të gjatë të kufirit të tyre.
E ndërsa rezultati se kujt do t’i takojë ajo shtëpizë mbetet sekret, kujdestari i saj, 51-vjeçari Lucio Trucco, ka thënë se do të qëndrojë në tokën italiane.
“Shtëpiza mbetet italiane, sepse ne kemi qenë gjithmonë italianë, menyja është italiane, vera është italiane dhe taksat janë italiane.”
Duke qenë se negociatat mes dy vendeve kanë zgjatur shumë kohë, fshatrat në të dyja anët e këtij kompleksi nuk kanë dhënë leje ndërtimi gjë që ka vonuar edhe rinovimin e tij.

