Ngadalësohet transportimi i drithërave ukrainase, minat ujore po lëvizin - NACIONALE

Ngadalësohet transportimi i drithërave ukrainase, minat ujore po lëvizin

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kompanitë e transportit nuk po nguten që ta bëjnë transportimin e miliona tonëve drithëra të Ukrainës pavarësisht nga marrëveshja për ofrimin e korridoreve të sigurta përmes Detit të Zi. Kjo po ndodh për shkak se minat ujore po lëvizin në ujë, pronarët e anijeve po i vlerësojnë rreziqet dhe shumë ende kanë pyetje se si do të zbatohet marrëveshja.

Ndërlikimet e marrëveshjes kanë shkaktuar fillim të ngadalshëm e të kujdesshëm të transportit, por marrëveshja vlen vetëm 120 ditë dhe koha filloi që të matej javën e kaluar, shkruan "Associated Press".

Qëllimi për katër muajt e ardhshëm është që të transportohen rreth 20 milionë tonë drithëra nga tri porte ukrainase, që janë bllokuar nga fillimi i luftës më 24 shkurt. Kjo periudhë kohore ofron mundësi për lëvizjen e katër ose pesë anijeve të mëdha në ditë, të cilat do t’i dërgonin drithërat në pjesë të ndryshme të botës, ku njerëzit po ballafaqohen me uri.

Afati i marrëveshjes gjithashtu ofron kohë që gjërat të shkojnë jo ashtu si duhet. Vetëm disa orë pas nënshkrimit të premten, porti ukrainas i Odesa-s u godit nga raketat ruse. Ky port është i përfshirë në marrëveshje.

Një element tjetër kyç i marrëveshjes ofron garanci se kompanitë e transporti dhe sigurimeve, që bartin drithëra dhe plehra ruse, nuk do të preken nga sanksionet e gjera perëndimore. Megjithatë marrëveshja e ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara po del kundër realitetit se sa i vështirë dhe i rrezikshëm do të jetë zbatimi i paktit.

“Ne duhet të punojmë shumë që tash ta kuptojmë hollësinë se si do të funksionojë kjo praktikisht”, tha Guy Platten, sekretar i përgjithshëm i Odës Ndërkombëtare të Transportit, e cila thotë se i përfaqëson shoqatat shtetërore të pronarëve të anijeve, duke përfshirë rreth 80 për qind të flotës botërore të anijeve tregtare.

“A mund të sigurohemi dhe ta garantojmë sigurinë e ekuipazheve? Çfarë do të ndodhë me minat dhe fushat e minave? Pra ka shumë paqartësi dhe të panjohura për momentin”, shtoi ai.

Eksportimi i grurit dhe ushqimeve të tjera është jetik për bujqit ukrainas, të cilëve po u harxhohet hapësira për vendosjen e drithërave, tani kur po i korrin arat. Këto drithëra janë jetike për miliona njerëz në Afrikë, Lindje të Mesme e Azi Jugore, të cilët tashmë po ballafaqohen me mungesë ushqimi e, në disa raste, edhe uri masive.

“Rreziku kryesor që haset do të jenë qartazi minat”, tha Munro Anderson, drejtor i inteligjencës dhe partner themelues i kompanisë për këshilla të sigurisë në transportin ujor, “Dryad”. Kjo kompani po punon me kompanitë e sigurimeve dhe ndërmjetësuesit për t’i vlerësuar rreziqet me të cilat mund të ballafaqohen anijet gjatë lundrimit, pasi minat ujore, të vendosura nga Ukraina për t’i parandaluar forcat ruse, janë duke lëvizur./Nacionale

Lajme të ngjashme