Shembet akullnaja Marmolada në Itali, pesë të vdekur e disa të plagosur
Të paktën pesë persona kanë humbur jetën pasi janë zënë nga një ortek i shkaktuar nga shembja e një akullnaje në Alpet veriore italiane.
Zyrtarët e urgjencës kanë bërë të ditur se nga shembja janë plagosur edhe tetë persona të tjerë, dy nga të cilët ndodhen në gjendje të rëndë.
Në përpjekje të shpëtimit në vendngjarje janë dërguar pesë helikopterë dhe dhjetëra punonjës të urgjencës, ndërsa video e incidentit shfaq një masë akulli duke u rrëzuar në shpatet e Marmolada, mali më i lartë i zonës.
“Fatkeqësisht, pesë persona u gjetën të pajetë”, është shprehur zëdhënësja e shërbimeve të urgjencës Michela Canova për agjencinë e lajmeve AFP, duke shtuar se shifra e të lënduarve “mbetet një numërim i përkohshëm”.
Ndërkohë, që zyrtarët e shpëtimit kanë bërë të ditur se alpinistët e lënduar janë dërguar në spitale, nuk është bërë e ditur se çfarë e ka shkaktuar shembjen e pjesës së akullnajës.
Por Walter Milan, një zëdhënës i shërbimit të shpëtimit, ka thënë për mediat ditët e fundit zona ka përjetuar temperatura jashtëzakonisht të larta.
"Nxehtësia është e pazakontë," është shprehur Milan, duke vënë në dukje se temperaturat në kulmin e akullnajave ditët e fundit kanë arritur në 10 gradë Celcius.
Ndërkohë, Reinhold Messner, një alpinist italian, i tha gazetës La Republica se akullnaja është duke u tërhequr prej disa vitesh për shkak të ndikimit të ngrohjes globale.
"Nuk ka mbetur pothuajse asnjë akull," tha Messner, duke shtuar se akullnajat herë pas here shemben "për shkak të gravitetit", por se arsyeja e tërheqjes së akullnajës "është nxehtësia globale, e cila shkakton shkrirjen e akullnajave".