Shkon në 25 numri i viktimave pas sulmeve ajrore ruse në të gjithë Ukrainën - NACIONALE

Shkon në 25 numri i viktimave pas sulmeve ajrore ruse në të gjithë Ukrainën

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një valë sulmesh ajrore ruse në qytete anembanë Ukrainës, përfshirë Kievin, ka lënë të vdekur të paktën 25 persona.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë se 23 persona – përfshirë katër fëmijë – janë vrarë në një sulm që ka goditur një bllok banesash në qytetin qendror të Umanit.

Më pas, sipas kryetarit lokal të Dnipros, një grua dhe vajza e saj tre vjeçare janë vrarë në qytetin e Dnipro-s.

Në anën tjetër, ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se ushtria e saj kishte shënjestruar me sulme njësitë rezervë të ushtrisë ukrainase. Vetë agjencia shtetërore e lajmeve RIA tha se Rusia po synonte njësitë rezervë dhe ka përdorur armë me precizion të lartë në sulmet e së premtes.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se një bllok apartamentesh ishte në mesin e 10 ndërtesave të banimit që u dëmtuan në Uman.

Zelensky ka thënë se sulmet e fundit tregojnë se ka nevojë për veprime të mëtejshme ndërkombëtare kundër Rusisë.

"E keqja mund të ndalohet me armë - mbrojtësit tanë po e bëjnë këtë. Dhe mund të ndalohet me sanksione - sanksionet globale duhet të rriten,"- ka shkruar ai në një postim në Twitter.

Nga Kievi, kreu i administratës ushtarake ka njoftuar se ky ishte sulmi i parë raketor rus në kryeqytet në 51 ditë.

Tutje zyrtarët ukrainas kanë bërë të ditur se 21 nga 23 raketa dhe dy dronë sulmues ishin rrëzuar nga sistemi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës.

Lajme të ngjashme