Ministri i Mbrojtjes thotë se Ukraina është gati për kundërofensivën - NACIONALE

Ministri i Mbrojtjes thotë se Ukraina është gati për kundërofensivën

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksii Reznikov, ka thënë se forcat ukrainase janë duke i përfunduar përgatitjet e tyre për kundërofensivën e pritur gjatë kundër trupave pushtuese ruse.

“Porsa të jetë vullneti i Zotit, moti dhe një vendim nga komandantët, ne do ta bëjmë atë”- citohet të ketë thënë ministri ukrainas të premten. Ai nuk përmendi ndonjë datë për fillimin e kundërofensivës, raporton agjencia “Reuters”.

Kievi ka qenë duke përgatitur një kundërsulm qe disa muaj me qëllim të zmbrapsjes së forcave ruse nga pjesët lindore dhe jugore të Ukrainës.

NATO-ja tha të enjten se vendet aleate dhe partnere i kanë dhënë mbi 98 për qind të automjeteve të premtuara luftarake Ukrainës, duke e fuqizuar aftësinë e Kievit.

Bashkë me mbi 1.550 automjete të blinduara, 230 tanke e pajisje të tjera, aleatët perëndimorë kanë dërguar “sasi të madhe të municionit” dhe kanë trajnuar e pajisur mbi nëntë brigada të reja ukrainase, tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ndërkohë ministri i Brendshëm, Ihor Klymenko, ka thënë se numri i të vdekurve nga sulmi rus me raketë në qytetin Uman ka shkuar në të paktën dhjetë, ndërsa 17 janë lënduar.

Raketa goditi një bllok banesor 9-katësh para mëngjesit, kur banorët ishin ende udke fjetur.

Në qytetin juglindor, Dnipro, një raketë goditi një shtëpi, duke vrarë një grua 31-vjeçare dhe një fëmijë 2-vjeçar, tha guvernatori Serhiy Lysak.

Kështu, numri i përgjithshëm i të vdekurve nga dy sulmet ka shkuar në 12. Këto janë sulmet e para të mëdha me raketa nga Rusia në Ukrainë në gati dy muajt e fundit.

Lajme të ngjashme