Të paktën tetë të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë - NACIONALE

Të paktën tetë të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Së paku tetë persona janë vrarë nga sulmet ruse me raketa para agimit në pjesë të ndryshme të Ukrainës.

Agjencia “Associated Press” e citoi policinë ukrainase të ketë thënë se të paktën gjashtë persona janë vrarë dhe 17 të tjerë janë plagosur në Uman, rreth 215 kilometra në jug të Kievit, ku dy raketa me vetëdrejtim goditën një ndërtesë 9-katëshe të banimit. Tre fëmijë u shpëtuan nga rrënojat.

Rusia hodhi më shumë se 20 raketa me vetëdrejtim dhe dy dronë në Kiev dhe në pjesë të tjera të Ukrainës të premten herët. Sirenat e alarmit për sulme ajrore u dëgjuan në kryeqytet gjatë sulmit të parë në Kiev që nga fillimi i marsit.

Forcat ajrore të Ukrainës penguan 11 raketa me vetëdrejtim dhe dy pajisje fluturuese pa pilotë mbi Kiev, tha administrata lokale, por nuk pati ndonjë raportim të menjëhershëm për ndonjë raketë që ka goditur caqe në kryeqytet dhe nuk u raportua as për pasoja në njerëz.

Një grua 31-vjeçare dhe vajza e saj 2-vjeçare u vranë në qytetin lindor, Dnipro, nga një sulm tjetër, tha guvernatori Serhii Lysak. Katër persona u lënduan.

Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Valerii Zaluzhnyi, tha se raketat u hodhën nga aeroplanët që operojnë në rajonin e Liqenit Kaspik. Zaluzhnyi tha se Ukraina ka penguar 21 nga 23 raketat e llojeve “Kh-101” dhe “Kh-555”.

Lajme të ngjashme