Stoltenbergu thotë se Ukrainës i janë dhënë mbi 98 për qind e automjeteve të premtuara luftarake
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të enjten se aleatët dhe partnerët e kësaj organizate ia kanë dhënë Ukrainës pothuajse të gjitha automjetet e premtuara luftarake.
“Më shumë se 98 për qind e automjeteve luftarake që i janë premtuar Ukrainës, tashmë janë dhënë. Kjo nënkupton mbi 1.550 automjete të blinduara, 230 tanke dhe pajisje të tjera, përfshirë sasi të madhe të municionit”- tha ai para gazetarëve në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel, raporton agjencia “Reuters”.
“Në përgjithësi, ne kemi trajnuar dhe pajisur më shumë se nëntë brigada të reja të blinduara ukrainase. Kjo do ta vendosë Ukrainën në pozicionin e fuqishëm për ta vazhduar që të rimarrë territor të pushtuar”- shtoi zyrtari i lartë i NATO-s në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel.
Të mërkurën, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e zhvilloi bisedën e parë telefonike me homologun kinez, Xi Jinping, që nga fillimi i pushtimit rus. Ai tha se ka zhvilluar një bisedë të gjatë dhe kuptimplote.
Kina është munduar që ta paraqesë veten si neutrale për konfliktin në Ukrainë dhe këtë vit paraqiti një propozim për arritjen e paqes. Të mërkurën, autoritetet kineze emëruan një emisar të paqes për Ukrainën.

