Kina thotë se do të dërgojë emisar të paqes në Ukrainë - NACIONALE

Kina thotë se do të dërgojë emisar të paqes në Ukrainë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, i tha homologut ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një bisede telefonike të mërkurën se qeveria e tij do të dërgojë një emisar të paqes në Ukrainë dhe në vende të tjera, raportuan mediet shtetërore, pasi Pekini tha se dëshiron që të veprojë si ndërmjetës në luftën e Rusisë.

Në një deklaratë të raportuar nga televizioni shtetëror nuk u tregua nëse emisari kinez do ta vizitojë edhe Rusinë, raporton agjencia “Associated Press”.

“Kina do të dërgojë një përfaqësues të posaçëm të qeverisë kineze për çështje euroaziatike në Ukrainë dhe në vende të tjera për të kryer komunikim të thellë me të gjitha palët për zgjidhjen politike të krizës ukrainase”- thuhet në deklaratë.

Në njoftim nuk përmenden Rusia ose pushtimi i Ukrainës me vendim të presidentit rus, Vladimir Putin.

“Në luftë bërthamore nuk ka fitues”- u paralajmërua në deklaratën e autoriteteve kineze.

Kina është përpjekur që të paraqitet si neutral në luftë, por ka refuzuar që ta kritikojë pushtimin rus të Ukrainës.

Qeveria kineze në shkurt paraqiti një propozim për përfundimin e luftës, duke bërë thirrje për armëpushim e bisedime të paqes.

“Bisedimet janë e vetmja rrugëdalje e zbatueshme”- citohet t’i ketë thënë presidenti kinez homologut Zelensky.

“Në luftë bërthamore nuk ka fitues. Të gjitha palët e përfshira duhet të mbeten të qeta dhe të përmbajtura gjatë trajtimit të çështjes bërthamore dhe vërtet të shikojnë nga e ardhmja dhe fati i vet dhe njerëzimi si tërësi dhe të punojnë së bashku për ta menaxhuar krizën”- thuhet në deklaratë.

Lajme të ngjashme