Kina paraqet një propozim për armëpushim e bisedime të paqes mes Rusisë e Ukrainës
Kina ka bërë thirrje për armëpushim e fillim të bisedimeve të paqes mes Ukrainës dhe Rusisë, duke publikuar një propozim me 12 pika për t’u dhënë fund luftimeve që nisën saktësisht para një viti.
Pekini pretendon se ka qëndrim neutral për këtë luftë, por Kina ka thënë se ka “miqësi pa kufi” me Rusinë dhe ka refuzuar që ta kritikojë pushtimin rus të Ukrainës dhe madje edhe t’i referohet si pushtim. Kina e ka akuzuar Perëndimin për nxitje të konfliktit dhe “fryrje të zjarrit” duke i dhuruar Ukrainës armë mbrojtëse, raporton agjencia “Associated Press”.
Në dokumentin me 12 pika, të publikuar të premten nga Ministria e Jashtme e Kinës, bëhet thirrje për përfundimin e sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë dhe për masa për parandalimin e sulmeve ndaj civilëve e objekteve civile, sigurinë e objekteve bërthamore, krijimin e korridoreve humanitare për civilë dhe sigurimin e eksportimit të drithërave.
Para publikimit të dokumentit, të quajtur “Pozicioni i Kinës në Zgjidhjen Politike të Krizës së Ukrainës”, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka quajtur atë hap të parë të rëndësishëm për përfshirjen e Kinës.
“Mendoj se, në përgjithësi, fakti që Kina ka filluar të flasë për paqen në Ukrainë, mendoj se kjo nuk është keq”- tha ai në një konferencë për gazetarë të enjten me kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez, i cili e vizitoi Ukrainën.
Në planin me 12 pika kryesisht përsëriten qëndrimet e vjetra të Kinës, përfshirë atë se “sovraniteti, pavarësia dhe integriteti territorial” i të gjitha shteteve duhet të garantohet.
“Dialogu dhe negociatat janë mënyra e vetme e zbatueshme për ta zgjidhur krizën e Ukrainës”- thuhet në propozim. Në dokument nuk ofrohen hollësi për formën që do të duhej ta kishin bisedimet e mundshme, për ndonjë parakusht ose për atë se cilat shtete duhet të përfshihen në proces. Megjithatë, thuhet: “Kina është e gatshme që të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në këtë aspekt”.

