ShBA-ja e ndryshon qëndrimin: Biseda mes Zelenskyt e Jinpingut do të ishte gjë e mirë - NACIONALE

ShBA-ja e ndryshon qëndrimin: Biseda mes Zelenskyt e Jinpingut do të ishte gjë e mirë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shtëpia e Bardhë tha të enjten se bisedimet mes presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe homologut të tij kinez, Xi Jinping, do të ishin “gjë e mirë”, por e paralajmëroi Pekinin që të mos ketë pikëpamje të njëanshme për konfliktin.

“Ne mendojmë se do të ishte një gjë shumë e mirë, nëse ata dy (presidentët) flasin. Ne e përkrahim dhe e kemi përkrahur kontaktin”- tha zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare të ShBA-së, John Kirby.

Megjithatë, ai paralajmëroi kundër thirrjes së Kinës për një armëpushim në Ukrainë, duke thënë se një gjë e tillë thjesht do ta ndihmonte agresionin rus, raporton gazeta “The Guardian”.

Ende nuk ka pasur konfirmim për një bisedë telefonike nga presidenti kinez me homologun ukrainas. Megjithatë, ministri i Jashtëm i Kinës, Qin Gang, dhe homologu i tij ukrainas, Dmytro Kuleba, biseduan përmes telefonit të enjten.

Kirby tha se theksimi i nevojës për një armëpushim nga Kina “tingëllon i arsyeshëm në mënyrë të përsosur”, por efektivisiht “do ta ratifikonte pushtimin e Rusisë”.

“Në praktikë, kjo do t’i njihte fitimet e Rusisë dhe do të përbënte një shkelje tjetër të vazhdueshme të Kartës së OKB-së”- shtoi zyrtari amerikan.

Kirby tha se paqja e qëndrueshme “nuk mund të jetë e njëanshme dhe duhet absolutisht t’i përfshijë vendimet dhe perspektivat ukrainase dhe të informohet prej tyre”.

Lajme të ngjashme