ShBA ndan miliona dollarë për adresim të rrezikut nga Inteligjenca Artificiale
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar masa për të adresuar rreziqet e garës që po zhvillohet në përparimet e Inteligjencës Artificiale, pasi një takimi të zëvendëspresidentes amerikane Kamala Harris me shefat ekzekutiv të ChatGPT, Google dhe Microsoft.
Qeveria amerikane ka dalë me një deklaratë duke thënë se firmat që zhvillonin teknologjinë kishin një "përgjegjësi themelore për t'u siguruar që produktet e tyre të jenë të sigurta përpara se ato të vendosen ose të bëhen publike".
Kujtojmë se ka pasur shqetësime në rritje për lejimin e zhvillimin të AI në një mënyrë të pakontrolluar, pasi aplikimi i saj nga kompanitë private mund të kërcënojë vendet e punës, të rrisë rrezikun e mashtrimit dhe të cenojë privatësinë e të dhënave.
Sipas The Guardian, lidhur me çështjen qeveria amerikane ka njoftuar të enjten se do të investojë 140 milionë dollarë në shtatë institute të reja Kombëtare të Kërkimit të AI, për të ndjekur përparimet e AI që janë “etike, të besueshme, të përgjegjshme dhe që i shërbejnë të mirës publike”.
Zhvillimi i Inteligjencës Artificiale dominohet nga sektori privat, me industrinë e teknologjisë që ka prodhuar 32 modele të rëndësishme të mësimit të makinerive vitin e kaluar, krahasuar me tre të prodhuara nga akademia.
Zhvilluesit kryesorë të AI kanë rënë dakord gjithashtu që sistemet e tyre të vlerësohen publikisht në konferencën e sivjetme të sigurisë kibernetike DEFCON 31. Kompanitë që kanë rënë dakord të marrin pjesë përfshijnë OpenAI, zhvilluesi i ChatGPT, Google, Microsoft dhe Stability AI, firma britanike që qëndron pas mjetit të gjenerimit të imazheve Stable Diffusion.
Tetorin e kaluar, Shtëpia e Bardhë publikoi një plan për një "ligj të të drejtave të AI" që bënte thirrje për mbrojtje nga "sistemet e pasigurta ose joefektive" duke përfshirë testimin para nisjes dhe monitorimin e rregullt, krahas mbrojtjes nga praktikat abuzive të të dhënave si "mbikëqyrja e pakontrolluar".
Edhe rregullatori i konkurrencës në Mbretërinë e Bashkuar ka vënë në dukje shqetësimet rreth zhvillimit të AI, pasi rishikimit të modeleve që mbështesin produkte si ChatGPT dhe chatbot rival i Google, Bard.
Rikujtojmë po ashtu se gjatë kësaj jave, shkencëtari britanik i kompjuterave i përshkruar si “babai i AI”, Dr Geoffrey Hinton, është larguar nga pozita e tij në Google në mënyrë që të fliste lirshëm për rreziqet e AI.

