Ankthi nga Inteligjenca Artificiale: Punëtorët që frikësohen se do të zëvendësohen nga robotët
Intelegjenca artificiale (AI) i ka futur frikën një numri të madh njerëzish, duke u shqetësuar për të ardhmen e tyre si shkak i lajmeve të ndryshme se robotët që vjedhin punët e njerëzve janë përhapur.
Mjetet gjeneruese AI dhe ChatGPT, janë bërë shpejt më të qasshme, ku shumë punëtorë kanë shprehur shqetësimin e tyre, nëse aftësitë që ata kanë do të jenë të rëndësishme për tregun e punës në vitet në vijim, apo puna e tyre do të zëvendësohet me anë të robotëve.
Në mars, Goldman Sachs publikoi një raport që tregon se AI mund të zëvendësojë rreth 300milion vende pune me orar të plotë.
Trajnerët e karrierës dhe Burimeve Njerëzore janë shprehur lidhur me këtë çështje, duke thënë se në vend që të ketë panik për humbjen e mundshme të punës si shkak i makinerive, njerëzit duhet të investojnë në të mësuarit se si të punojnë së bashku me teknologjinë- raporton BBC.
Ata thonë se nëse njerëzit e shohin si një burim dhe jo një kërcënim, do ta bëjnë veten më të vlefshëm për punëdhënësit.
Frika nga e panjohura:
ChatGPT i OpenAI shpërtheu në dukje brenda natës dhe ‘’gara e armatimit të AI’’ porritet çdo ditë e më shumë, duke krijuar pasiguri të vazhdueshme për punëtorët.
Carolyn Montrose, trajnere karriere dhe pedagoge në Universitetin Columbia në Nju Jork, thotë se ritmi i inovacionit teknologjik dhe ndryshimi mund të jetë i frikshëm. Ajo nuk i lë në faj personat që po frikësohen.
‘’Është normale të ndjesh ankth për ndikimin e AI, sepse evolucioni i AI është i rrjedhshëm dhe ka shumë faktorë të panjohur aplikimi’’- thotë ajo.
Por ajo gjithashtu thotë se sado shqetësuese që është situata, njerëzit nuk duhet domosdoshmërisht të ndjejnë frikë ekzistenciale. Njerëzit mund ta shohin edhe nga një përspektivë tjetër këtë çështje.
‘’Ata ose mund të zgjedhin të ndihen të shqetësuar për AI, ose të fuqizohen për të mësuar rreth saj dhe për ta përdorur në avantazhin e tyre’’- thotë Montrose.
Në anën tjetër, Scott Likens i PwC, i specializuar në të kuptuarit e çështjeve rreth teknologjisë, nuk e sheh si situatë shqetësuese.
Ai thotë se teknologjia ka potencialin për të përmirësuar proceset e punës, por individët janë shpesh në gjendje të përparojnë krahas teknologjisë.
‘’Kjo nuk është hera e parë që kemi hasur në ndërprerje të industrisë, nga automatizmi dhe prodhimi tek tregtia elektronike dhe shitja me pakicë. Ne kemi gjetur mënyra për tu përshtatur’’- tha Likens.
Sipas tij njerëzit duhet të angazhohen për të përmirësuar aftësitë e tyre, e jo të shqetësohen, në të kundërtën ata do të dëmtohen vetë më shumë sesa nga AI.
Vlera unike e njerëzve:
Edhe pse ekspertët e justifikojnë deri ne një nivel ankthin, ata thonë se frika se robotët do të marin përsipër punët e njerëzve, është e tepërt.
Hulumtimi i nëntorit 2022, nga profesori i sociologjisë Eric Dahlin, në Universitetin Brigham Young në Utah, SHBA, tregoi se jo vetëm që robotet nuk po zëvendësojnë punëtorët me shkallën që besojnë shumica e njerëzve, por disa njerëz edhe e keqpërceptojnë shkallën me të cilën po marrin përsipër mjetet e automatizmit.
‘’Vetëm se një teknologji mund të shfrytëzohet për një punë, nuk do të thotë se gjithsesi do të zbatohet’’- tha Dahlin.
Stefanie Coleman, drejtore në biznesin e shërbimeve këshilluese për njerëzit e konsulencës, theksoi se një kombinim i njerëzve dhe robotëve do të duhet gjithmonë të ekzistojë.
‘’Njerëzit do të kenë gjithmonë një rol për të luajtur në biznes duke kryer punën e rëndësishme që robotët nuk munden. Kjo lloj pune zakonisht kërkon cilësi të lindura njerëzore, si ndërtimi i marrëdhënieve, kreativiteti dhe intelegjenca emocionale’’- tha Coleman.

