ShBA-ja thotë se Rusia po përballet me probleme me dronët iranianë - NACIONALE

ShBA-ja thotë se Rusia po përballet me probleme me dronët iranianë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Rusia është ballafaquar me problem teknike sa u përket dronëve iranianë të marrë nga Teherani këtë muaj për përdorim në luftën e saj në Ukrainë, sipas zyrtarëve të administratës së presidentit Biden të ShBA-së.

Zyrtarët amerikanë, që folën në kushte anonimiteti për ta diskutuar vlerësimin e inteligjencës së ShBA-së, nuk dhanë hollësi për ato që i cilësuan “dështime të shumta”. Ata shtuna se ShBA-ja vlerëson që shpërndarja e dronëve “Mohajer-6” dhe “Shahed” për disa ditë këtë muaj është, me gjasë, pjesë e një plani rusë për të siguruar qindra dronë iranianë.

Agjencia “Associated Press” raportoi javën e kaluar se Rusia kishte siguruar rishtazi qindra dronë iranianë që mund të përdoren në luftën në Ukrainë pavarësisht nga paralajmërimet e Shteteve të Bashkuara për Iranin që të mos e bënte transportimin e tyre. Gazeta “The Washington Post” raportoi së pari se Rusia është ballafaquar me probleme teknike me dronët iranianë.

Operatorët rusë vazhdojnë që të marrin trajnime në Iran për përdorimin e këtyre sistemeve, të cilat mund të kryejnë sulme ajër – tokë, luftë elektronike dhe caktim të shënjestrës në fushëbetejat e Ukrainës, thanë zyrtarët.

Administrata e Bidenit muajin e kaluar publikoi pamje satelitore që jepnin shenja se disa zyrtarë rusë e kishin vizituar aeroportin Kashan më 8 qershor dhe më 5 korrik për t’i shikuar dronët iranianë. Në atë kohë, këshilltari për siguri kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jake Sullivan, kishte pohuar se administrate amerikane “ka informata se qeveria iraniane është duke u përgatitur që ta furnizojë Rusinë me qindra dronë”.

E ballafaquar me sanksione ekonomike dhe kufizime në zinxhirin furnizues për shkak të pushtimit të Ukrainës, Rusia po kthehet nga Irani si partner dhe furnizues kyç me armë. Aeroplanët rusë janë ngarkuar me pajisje për dronë në një aeroport në Iran për disa ditë këtë muaj para se armatimi të dërgohej në Rusi, thanë zyrtarët amerikanë.

Zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jake Sullivan, u tha gazetarëve të hënën se administrate “nuk ka përditësim” informacionesh nëse dronët iranianë janë dërguar në Rusi. Ai shtoi se ShBA-ja “nuk ka parë asgjë që na e jep ndjenjën e rehatisë”.

Ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Hossein-Amir Abdollahian, tha muajin e kaluar se vendi i tij ka “lloje të ndryshme të bashkëpunimit me Rusinë, përfshirë sektorin e mbrojtjes”, përcjell Nacionale.

“Por ne nuk do ta ndihmojmë asnjërën palë të përfshirë në këtë luftë, sepse ne besojmë që ajo duhet të ndalet”, shtoi kryediplomati iranian.

Zyrtarët e administratës amerikane i konfirmuan hollësitë për furnizimin e Rusisë me dronë nga Irani në një moment, kur Shtëpia e Bardhë gjithashtu po mundohet që ta nxisë Teheranin për t’u kthyer në zbatimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.

Javën e kaluar, administrate amerikane e përfundoi rishikimin e komenteve të Iranit ndaj propozimit evropian për rifillimin e marrëveshjes së arritur gjatë pushtetit të ish-presidentit Barack Obama dhe të prishur nga ish-presidenti Donald Trump më 2018./Nacionale

Lajme të ngjashme