Irani shfaq bazën nëntokësore me dronë të llojllojshëm, s’tregohet vendndodhja - NACIONALE

Irani shfaq bazën nëntokësore me dronë të llojllojshëm, s’tregohet vendndodhja

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ushtria iraniane ka publikuar disa hollësi – por jo edhe vendndodhjen e saktë – të një baze nëntokësore të dronëve ushtarakë, raportuan mediet shtetërore, kur në Gjirin Persik po rriten tensionet.

Televizioni shtetëror tha se 100 dronë po mbahen në zemrën e Maleve Zagros, përfshirë atë të tipit “Ababil-5”, për të cilin thuhet se është i armatosur me raketa “Qaem-9”, version iranian i raketave amerikane të tipit “Hellfire”.

“Nuk ka dyshim që dronët e forcave të armatosura të Republikës Islamike të Iranit janë më të fuqishmit në rajon. Aftësia jonë për t’i modernizuar dronët është e pandalshme”, tha Gjeneralmajor Abolrahim Mousavi.

Korrespondenti i televizionit shtetëror tha se ka bërë një fluturim 45-minutësh të enjten nga Kermanshah-u, në pjesën perëndimore të Iranit, për në një vend sekret nëntokësor. Atij iu lejua largimi i pengesës nga sytë vetëm pas arritjes në bazë, sipas korrespondentit.

Në televizion u shfaqën radhë të dronëve të armatosur me raketa në një tunel, për të cilin u tha se ndodhet disa qindra metra nën tokë, raporton agjencia "Reuters".

Raporti i televizionit shtetëror u bë vetëm një ditë pasi Rojat Revolucionare të Iranit konfiskuan dy anije transportuese greke në Gjirin Persik si hakmarrje e qartë për konfiskimin e naftës iraniane nga Shtetet e Bashkuara afër bregdetit grek./Nacionale

Lajme të ngjashme