ShBA-ja pritet ta ekzekutojë sot transgjinoren e parë për vrasjen e ish të dashurës - NACIONALE

ShBA-ja pritet ta ekzekutojë sot transgjinoren e parë për vrasjen e ish të dashurës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gati 1.600 të burgosur janë ekzekutuar në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1977, por një ekzekutim i caktuar për të martën në Missouri do të ishte rasti i parë i ekzekutimit të një gruaje që është haptazi transgjinore.

Amber McLaughlin, 49 vjeçe, pritet të ekzekutohet më 3 janar, pasi është shpallur fajtore dhe është dënuar me vdekje për përndjekjen dhe therjen për vdekje të ish të dashurës para gati 20 viteve. Pasi nuk janë planifikuar apele ligjore, fati i këtij personi është në duart e guvernatorit republikan, Mike Parson, i cili është duke e shqyrtuar kërkesën për zbutjen e dënimit.

Sipas bazës së të dhënave të Qendrës për Informata rreth Dënimit me Vdekje, 1.558 persona janë ekzekutuar që nga rikthimi i dënimit me vdekje në mesin e viteve shtatëdhjetë. Shumica, me përjashtim të 17 të dënuarve, ishin burra dhe kjo qendër tha se më parë nuk ka pasur raste të njohura në të cilat është ekzekutuar një i burgosur që ka qenë haptazi transgjinor.

Në një peticion për zbutjen e dënimit të McLaughlin-it përmenden fëmijëria me trauma dhe problemet e shëndetit mendor të këtij personi, të cilat trupi gjykues nuk i kishte dëgjuar kurrë gjatë gjykimit. Sipas këtij peticioni, një kujdestar prindëror ia kishte fërkuar fytyrën me jashtëqitje personit të dënuar, kur ky ishte fëmijë, ndërsa babai që e kishte adoptuar, kishte përdorur një armë shoku ndaj saj. Në peticion përmendet edhe depresioni i rënë, i cili thuhet se kishte rezultuar në shumë përpjekje për vetëvrasje, edhe në kohën e fëmijërisë, edhe më vonë.

Në vitin 2003, para se ta ndërronte gjininë, McLaughlin ishte në lidhje me Beverly Guenther-in. Pasi i kishin ndërprerë takimet, McLaughlin-i ishte shfaqur në një zyrë ku punonte Guenther-i, nganjëherë duke u fshehur brenda ndërtesës, sipas dokumenteve të gjykatës. Gunether-i kishte siguruar urdhër të mbrojtjes dhe policët nganjëherë e përcillnin deri te vetura pas përfundimit të punës.

Fqinjët e Gunether-it e kishin telefonuar policinë në natën e 20 nëntorit të vitit 2003, kur ajo nuk ishte kthyer në shtëpi. Policët kishin shkuar te ndërtesa ku punonte ajo, ku kishin gjetur një thikë të thyer afër veturës së saj dhe shenja gjaku. Një ditë më pas, McLuaghlin-i i kishte dërguar policët në një vend afër Lumit Mississippi në St. Louis, ku e kishte hedhur kufomën.

McLaughlin-i ishte dënuar për vrasje të shkallës së parë në vitin 2006. Një gjykatës e dënoi atë me vdekje, pasi një trup gjykues nuk kishte arritur marrëveshje për dënimin. Avokati i personit të dënuar, Larry Komp, tha se Missouri dhe Indiana janë dy shtetet e vetme të ShBA-së ku një gjykatës lejohet të shqiptojë dënim me vdekje në vend të një trupi gjykues.

Një gjykatë dha urdhër për mbajtjen e një seance të re për shqiptimin e dënimit më 2016, por një gjykatë federale e apelit ia ktheu dënimin me vdekje këtij personi më 2021.

Gruaja e vetme që është ekzekutuar nga autoritetet e drejtësisë në Missouri ishte Bonnie B. Heady më 1953. Ajo ishte shpallur fajtore për rrëmbimin dhe vrasjen e një djaloshi 6-vjeçar. Heady ishte ekzekutuar në dhomën e gazit bashkë me rrëmbyesin dhe vrasësin tjetër, Carl Austin Hall.

Në mbarë Shtetet e Bashkuara, 18 persona u ekzekutuan gjatë vitit 2022, përfshirë dy në Missouri.

Lajme të ngjashme