ShBA-ja kërkon që GjNP-ja ta ndryshojë dokumentin themelues të saj, shqetësohet se do ta ndjekë penalisht Trumpin - NACIONALE

ShBA-ja kërkon që GjNP-ja ta ndryshojë dokumentin themelues të saj, shqetësohet se do ta ndjekë penalisht Trumpin

6 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, dëshiron që Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) ta amendamentojë dokumentin e saj themelues për t’u siguruar që ky organ i drejtësisë të mos i hetojë kreun e Shtëpisë së Bardhë dhe zyrtarët e tij të lartë, tha një zyrtar i administratës amerikane, duke kërcënuar me sanksione të reja ndaj gjykatës, nëse ajo nuk ndërmerr një veprim të tillë.

Nëse gjykata nuk vepron sa i përket kësaj kërkese të ShBA-së dhe dy të tjerave – hedhjen poshtë të hetimeve ndaj udhëheqësve izraelitë për shkak të luftës në Gaza dhe përfundimin formal të një hetimi të mëhershëm ndaj trupave amerikane për veprimet e tyre në Afganistan – Uashingtoni mund të penalizojë më shumë zyrtarë të GjNP-së dhe mund ta sanksionojë edhe vetë gjykatën, tha zyrtari amerikan, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Sanksionimi i gjykatës do ta përshkallëzonte në masë domethënëse fushatën e Shteteve të Bashkuara kundër GjNP-së, e cila për një kohë të gjatë është kritikuar nga zyrtarët amerikanë, përfshirë republikanë e demokratë, të cilët thonë se gjykata e cenon sovranitetin e vendit të tyre.

Zyrtari i administratës së Trumpit, duke folur në kushte anonimiteti, tha se Uashingtoni ua ka komunikuar kërkesat e veta vendeve anëtare të GjNP-së, disa prej të cilave janë aleate të ShBA-së, dhe ia ka bërë ato të ditura edhe vetë gjykatës. Shtetet e Bashkuara nuk janë palë e Statutit të Romës, me të cilin u themelua GjNP-ja në vitin 2002 si organ me autoritet për të ndjekur penalisht krerë shtetesh.

Gjykatësit e GjNP-së lëshuan urdhërarreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe kreun e Hamasit, Ibrahim al-Masri, në nëntorin e vitit të kaluar nën dyshimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit në Gaza.

Në marsin e vitit 2020, prokurorët hapën një hetim në Afganistan që përfshiu krime të mundshme nga trupat amerikane. Që nga viti 2021, GjNP-ja e ka larguar nga prioritetet hulumtimin e rolit të ShBA-së atje, por nuk i ka dhënë fund formalisht hetimit.

Për ta detyruar tribunalin ndërkombëtar që t’i hidhte poshtë akuzat, ShBA-ja më herët këtë vit vendosi sanksione ndaj nëntë zyrtarëve të GjNP-së, përfshirë gjykatës e prokurorë. Megjithatë, Uashingtoni ende nuk i ka vendosur sanksione gjykatës si entitet, gjë që do ta pengonte dukshëm punën e saj.

“Ka shqetësim në rritje... se në vitin 2029 GjNP-ja do ta kthejë vëmendjen e saj nga presidenti, nënpresidenti, ndaj sekretarit të Luftës [Mbrojtjes] dhe të tjerëve dhe të bëjë ndjekje penale kundër tyre” – tha zyrtari i administratës së Trumpit.

“Kjo është e papranueshme dhe ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë” – paralajmëroi ai më tej.

Shtëpia e Bardhë nuk pati koment të menjëhershëm rreth kësaj çështjeje.

Çfarëdo përpjekje për ta ndryshuar Statutin e Romës për ta përmbushur kërkesën e ShBA-së do të ishte i ngadalshëm e i vështirë, pasi për një gjë të tillë do të nevojitej miratimi nga dy të tretat e shteteve që e kanë ratifikuar dokumentin në fjalë./Nacionale

Lajme të ngjashme