ShBA-ja ia shuan shpresën Zelenskyt: S’ka gjasa hyrja menjëherë në NATO, na fut në luftë me Rusinë - NACIONALE

ShBA-ja ia shuan shpresën Zelenskyt: S’ka gjasa hyrja menjëherë në NATO, na fut në luftë me Rusinë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ukraina ende ka kërkesa për të plotësuar para se të mund të anëtarësohet në NATO, tha John Kirby, bashkërendues për Komunikime Strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, drejtoi kritika të ashpra ndaj aleancës.

“Ne besojmë se NATO-ja është në të ardhmen e Ukrainës. Dua të them, kjo është diçka për të cilën aleanca është pajtuar që në vitin 2008”- i tha Kirby televizionit CNN.

“Tani, janë disa reforma – qeverisja e mirë, sundimi i ligjit, reformat politike – në të cilat Ukraina duhet të punojë dhe ne kuptojmë që është vështirë që të punohet në disa prej atyre reformave, kur jeni në luftë. Natyrisht, ata janë në luftë tash për tash. Prandaj, anëtarësimi në NATO në të ardhmen e menjëhershme nuk ka gjasa, sepse kjo do ta vendoste NATO-n në luftë me Rusinë”- tha zyrtari amerikan.

Kirby e njohu zemërimin e Zelenskyt, i cili i kritikoi diskutimet e NATO-s për komunikatën rreth rrugës së mundshme të Ukrainës për në NATO në samitin e aleancës të martën në Lituani, duke thënë se “paqartësia është dobësi”.

“Po, ka zemërime, ka dëshira që t’i jepet fund kësaj lufte shpejt, tërë këtë e kuptojmë. Natyrisht, ndajmë shumë prej atyre shqetësimeve”- tha Kirby.

Lajme të ngjashme