ShBA-ja ia shtron disa kërkesa Venezuelës, nëse dëshiron ta rinisë prodhimin e naftës - NACIONALE

ShBA-ja ia shtron disa kërkesa Venezuelës, nëse dëshiron ta rinisë prodhimin e naftës

8 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka paraqitur një numër kërkesash me të cilat Venezuela duhet të pajtohet në mënyrë që ta rinisë prodhimin e naftës, i thanë televizionit CNN dy zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë.

Gjatë bisedave të udhëhequra nga sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, administrata e Trumpit i tha presidentes së përkohshme të Venezuelës, Delcy Rodriguez, se vendi i saj duhet t’i ndërpresë marrëdhëniet me Kinën, Iranin, Rusinë dhe Kubën si dhe të pajtohet që të ketë partneritet ekskluzivisht me Shtetet e Bashkuara për prodhimin e naftës, thanë dy zyrtarët amerikanë.

Sipas tyre, zonja Rodriguez gjithashtu duhet të pajtohet që t’i favorizojë administratën e Trumpit dhe kompanitë amerikane të naftës në rastet e shitjeve të naftës në të ardhmen.

Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, as nuk i konfirmoi, as nuk i mohoi këto kërkesa.

Disa burime të afërta me diskutimet thanë se zytarët e Trumpit besojnë që Venezuela mund të mbijetojë ekonomikisht vetëm për disa javë, nëse nuk mbështetet në shitjen e rezervave të naftës.

Kërkesat vijnë në kohën kur administrata amerikane tha se ka arritur një marrëveshje me qeverinë e përkohshme venezuelase për të shitur dhjetëra miliona fuçi nafte që tashmë janë nxjerrë.

Të mërkurën, Rubio tha se paratë nga këto shitje do të kontrollohen nga administrata amerikane dhe “do të shpërndahen në një mënyrë nga e cila përfiton populli venezuelas, jo korrupsioni, jo regjimi”.

Për më tepër, anëtarë të administratës së Trumpit u kanë thënë ligjvënësve amerikanë se i kanë bërë të qartë Venezuelës se duhet të mbajë zgjedhje të lira e të drejta në të ardhmen, t’i lirojë të burgosurit politikë dhe t’i heqë qafe bandat e drogës, sipas burimeve të afërta me diskutimet mes Shtëpisë së Bardhë e ligjvënësve kyçë këtë javë.

Sidoqoftë, Rubio u tha kongresistëve më herët këtë javë se kërkesat më urgjente të administratës amerikane janë të përqendruara te dëbimi i armiqve të huaj të Uashingtonit nga Karakasi, bashkëpunimi për shitjet e naftës dhe të qenët më bashkëpunues në punën rreth luftës kundër narkotikëve, tha burimi./Nacionale

Lajme të ngjashme