ShBA-ja i ka thënë Ukrainës se duhet ta nënshkruajë paktin e paqes me Rusinë që t’i marrë garancitë e sigurisë
Shtetet e Bashkuara i kanë thënë Ukrainës se duhet të nënshkruajë një marrëveshje të paqes me Rusinë në mënyrë që t’i marrë garancitë amerikane të sigurisë, i tha të martën agjencisë së lajmeve “Reuters” një burim i afërt me diskutimet e brendshme.
Garancitë e sigurisë nga ShBA-ja konsiderohen nga Ukraina si shtyllë për çfarëdo zgjidhje për t’i dhënë fund luftës gati 4-vjeçare të Rusisë në Ukrainë. Shtetet e Bashkuara ndërmjetësuan bisedime në Abu-Dabi mes emisarëve ukrainas e rus fundjavën e kaluar. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se në këto bisedime është shënuar progres drejt një marrëveshjeje.
Gazeta “Financial Times” raportoi se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, i ka dhënë sinjal Ukrainës se garancitë e sigurisë varen nga pajtimi i Kievit për marrëveshje të paqes, me gjasë duke kërkuar nga Ukraina që t’ia dorëzojë Rusisë rajonin e Donbasit.
Megjithatë, burimi që bisedoi me agjencinë “Reuters” tha se Shtetet e Bashkuara nuk po i tregojnë Ukrainës se çfarë duhet të përmbajë marrëveshja e paqes dhe se është çorientuese që të sugjerohet se Uashingtoni po mundohet ta detyrojë Ukrainën që t’i bëjë lëshime territoriale Rusisë.
Negociatorët ukrainas e rus pritet të takohen përsëri të dielën në Abu-Dabi dhe në bisedime mund të marrin pjesë edhe zyrtarë amerikanë. Emisarët amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, u kthyen nga bisedimet e fundjavës optimistë se një marrëveshje mund të arrihej së shpejti.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të dielën se një dokument amerikan për garancitë e sigurisë për Ukrainën ishte “100 për qind i gatshëm” dhe se Kievi tani po i pret kohën dhe vendin që ai të nënshkruhet.
Ukraina është gjithnjë më e pasigurt nëse Uashingtoni do të zotohet për garancitë e sigurisë, i tha gazetës “The Financial Times” një zyrtar i lartë ukrainas, duke shtuar se ShBA-ja “ndalet sa herë që garancitë e sigurisë mund të nënshkruhen”.
Zelensky vazhdimisht ka thënë se integriteti territorial i Ukrainës duhet të ruhet në çfarëdo pakti të paqes për t’i dhënë fund luftës.
Kremlini tha të hënën se çështja e territorit mbetet thelbësore për çfarëdo marrëveshjeje për t’u dhënë fund luftimeve në Ukrainë, sipas një raporti të agjencisë së lajmeve TASS pas bisedimeve të fundjavës në Abu-Dabi./Nacionale