ShBA-ja e arreston ish-pilotin e aeroplanëve F-35, akuzohet se e trajnoi forcën ajrore të Kinës
Shtetet e Bashkuara kanë arrestuar dhe kanë ngritur akuza kundër një ish-piloti të Forcës Ajrore, i cili dyshohet se e ka trajnuar ushtrinë kineze, duke i vënë në pah përpjekjet e vazhdueshme të Pekinit për t’i modernizuar forcat e veta të armatosura dhe për të përfituar nga sekretet amerikane.
Gerald Eddie Brown Jr., ish-instruktor i aeroplanëve luftarakë të tipit “F-35 Lightning”, i cili kishte komanduar njësite të ndjeshme me përgjegjësi për sistemin e shpërndarjes së armëve bërthamore, u arrestua të mërkurën në Jeffersonville të Indianës dhe u ngarkua me akuzën për “ofrim dhe konspiracion për t’u ofruar” shërbime të mbrojtjes pilotëve ushtarakë kinezë, tha Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara.
Duke filluar rreth gushtit të vitit 2023, Brown filloi që t’i negocionte kushtet e kontratës së tij për t’i trajnuar pilotët e Forcës Ajrore të Kinës bashkë me shtetasin kinez, Su Bin, i cili në vitin 2016 në ShBA ishte dënuar me katër vite burgim për konspiracion për t’i harruar rrjetet kompjuterike të kompanisë “Boeing” dhe kontraktorëve të tjerë të mëdhenj të mbrojtjes të ShBA-së.
Broën kishte udhëtuar në Kinë në dhjetorin e vitit 2023, duke qëndruar atje derisa ishte kthyer në Shtetet e Bashkuara në shkurt, thuhet në deklaratën e Departamentit të Drejtësisë, raporton agjencia e lajmeve "Reuters".
Ai “e tradhtoi vendin e vet duke trajnuar pilotë kinezë për të luftuar kundër atyre për të cilët ai u betua se do t’i mbronte” – tha Roman Rozhavsky, nëndrejtor i Divizionit për Kundërzbulim dhe Spiunazh në FBI.
Presidenti Donald Trump, i cili pritet të takohet në javët në vijim me homologun Xi Jinping në Kinë, është munduar që t’i ulë tensionet në një luftë të vazhdueshme tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë.
Megjithatë, prapa këtij sfondi është një rivalitet ushtarak dhe teknologjik që po përshkallëzohet dhe shumë vëzhgues e shohin këtë si formë të re të luftës së ftohtë.
Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate kanë paralajmëruar se Kina ka qenë duke rekrutuar në mënyrë aktive personel dhe ish-personel ushtarak perëndimor, përfshirë dhjetëra pilotë, për ta trajnuar ushtrinë kineze që t’u kundërvihet taktikave perëndimore të luftimeve në ajër, shpesh duke i joshur me kontrata fitimprurëse dhe mundësi për të drejtuar aeroplanë kinezë./Nacionale