ShBA-ja beson se çarmatosja e Hamasit vjen bashkë me njëfarë amnistie, thotë zyrtari amerikan - NACIONALE

ShBA-ja beson se çarmatosja e Hamasit vjen bashkë me njëfarë amnistie, thotë zyrtari amerikan

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara besojnë se çarmatosja nga militantët e Hamasit në Gaza vjen bashkë me një lloj amnistie për grupin palestinez, tha të hënën një zyrtar amerikan.

Ky zyrtar, duke folur me reporterë në kushte anonimiteti, u deklarua për ta shënuar kthimin e mbetjeve të pengut të fundit izraelit që po mbahej nga Hamasi. Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara po i bëjnë presion Hamasit për t’u çarmatosur si pjesë e një plani me të cilin Gaza do të rizhvillohet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Zyrtari tha se ka besim në mesin e zyrtarëve amerikanë se Hamasi do të çarmatoset.

“Ne po dëgjojmë nga shumë prej njerëzve të tyre duke folur për çarmatosjen. Ne mendojmë se ata do ta bëjnë këtë. Nëse nuk çarmatosen, atëherë e kanë shkelur marrëveshjen. Ne mendojmë se çarmatosja vjen me një lloj amnistie dhe sinqerisht mendojmë se kemi një program shumë, shumë të mirë për çarmatosje” – deklaroi ai.

Ambasada e Izraelit në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë pyetjes nëse Izraeli do të pajtohej me amnistinë për anëtarët e Hamasit, nëse ata do t’i dorëzonin armët.

Sipas planit 20-pikësh të presidentit amerikan, Donald Trump, për Gazën, porsa të kthehen të gjitha pengjet në Izrael, anëtarët e Hamasit që zotohen për bashkekzistencë paqësore dhe për dorëzimin e armëve të tyre do ta fitojnë amnistinë.

Anëtarëve të Hamasit që duan të largohen nga Gaza do t’u mundësohet kalimi i sigurt te shtetet që i pranojnë, sipas këtij plani.

Ushtria izraelite tha të hënën se janë identifikuar mbetjet e pengut të fundit në Gaza – Ran Gvili – dhe se ato do të kthehen në Izrael për varrim.

Lajme të ngjashme