Videoja për armët nukleare që na shkul së qeshuri dhe na dridh nga frika rikthehet sërish - NACIONALE

Videoja për armët nukleare që na shkul së qeshuri dhe na dridh nga frika rikthehet sërish

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Është bërë përsëri virale një video e komedianit të famshëm John Oliver në lidhje me Armët Nukleare pas zhvillimeve të fundit në luftën e Ukrainës.

Edhe pse komediani na bën të shkulemi së qeshuri me mënyrën e prezantimit të disa prej lajmeve të përzgjedhura, janë ato lajme që e bëjnë klipin aq dramatik dhe njëkohësisht tepër frikësues.

Videoja e bërë më 28 korrik të vitit 2014 ka marrë mbi 21 milionë klikime dhe mbi 152 mijë pëlqime në kanalin e emisionit të z. John Oliver.

“Pajisja është antike. Ky është një prej kompjuterëve që do të merrte urdhrin e lansimit (të armëve nukleare) nga presidenti (i ShBA-ve). Kompjuteri ka në përdorim ‘floppy diskët’, ata të vjetrit e të mëdhenjtë,” – thotë lajmi që komentohet më pas nga komediani me fjalët “Holy Sh*t”.

Më pas, vazhdohet me lajmin ku tregohej se si zyrtarët që do të merreshin me armët nukleare kishin marrë nota tepër të ulta në testim. Dhe pas tij, vjen lajmi që tregon se zyrtarët për lansimin e armëve nukleare kishin marrë përgjigjet e gatshme nga zyrtarët e tjerë. Pra, si në testin e maturës që organizohet çdo vit në Kosovë.

Në një tjetër lajm, tregohet se si ishte shkelur protokolli i sigurisë për armët nukleare pasi rojet... kishin qenë duke fjetur. Dera kishte qëndruar hapur dhe kush e kishte zbuluar këtë gjë? Një person që po ju çonte ushqim.

“Dhe përsëri, Amerika shpëtohet nga heronjtë e ekipit “Ushqimi nr. 6”” – bën shaka i tmerruar Oliver.

Më pas, komediani vazhdon të tallet edhe me gjeneralët kryesorë që kishin qenë përgjegjës për armët nukleare.

I pari ishte Michael Kerry që ishte shkarkuar për “arsye spektakolare” për shkak të sjelljeve të papërshtatshme në ndikim të alkolit.

“Veç mendoni për një moment; njeriu në krye të armëve tona nukleare ishte tepër i dehur madje edhe për rusët,” – komentonte Oliver.

Pjesa tjetër është edhe më e pabesueshme por edhe më spektakolare që tregon se si “për pak” amerikanët mund të kishin lansuar armët nukleare në vendin e tyre.

Në këtë klip, komediani bën thirrje për reduktim të armëve nukleare, një thirrje kjo që nuk ka shans të dëgjohet pas zhvillimeve të fundit në Ukrainë.

Lajme të ngjashme