Sergei Surovikin: “Gjeneral Armagedoni”, tani në krye të luftës së Rusisë
Komandanti i ri i luftës në Ukrainë përshkruhet si "absolutisht i pamëshirshëm, me pak interes për jetën njerëzore"
"Kur kryenim misione luftarake në Siri, për asnjë minutë nuk harruam se po mbronim Rusinë," tha Sergei Surovikin, komandanti i ri i unifikuar rus i fushëbetejës në Ukrainë, para një turme të mbledhur të personelit elitar të ushtrisë në një ceremoni të mbajtur në Moskë në vitin 2017.
Sipas një raporti të Human Rights Watch të vitit 2020, "mbrojtja" e interesave të Moskës nga Surovikin në Siri përfshinte dhjetëra sulme ajrore dhe tokësore ndaj objekteve dhe infrastrukturës civile, duke shtuar se forcat ruse nën komandën e tij goditën "shtëpitë, shkollat, objektet e kujdesit shëndetësor dhe tregjet siriane – vendet ku njerëzit jetojnë, punojnë dhe studiojnë”.
E të hënën në mëngjes, vetëm dy ditë pas emërimit të tij si komandanti i i parë i përgjithshëm për luftën në Ukrainë, Surovikin e solli librin e tij të dhunshëm për Sirunë më afër vetes, me një mori sulmesh me raketa kundër objektivave civile në të gjithë Ukrainën – në një kryqëzim të madh rrugor, në një universitet dhe në një shesh lojërash për fëmijë.
“Nuk jam i befasuar kur shoh se çfarë ndodhi këtë mëngjes në Kiev. Surovikin është absolutisht i pamëshirshëm, me pak respekt për jetën njerëzore,” kështu është shprehur për The Guardian një ish-zyrtar i ministrisë së Mbrojtjes, i cili ka punuar me Surovikin.
"Kam frikë se duart e tij do të jenë plotësisht të mbuluara me gjakun ukrainas," shtoi ai.
Surovikin fillimisht u bë i njohur gjatë një përpjekje për grusht shteti në vitin 1991 të nisur nga forcat sovjetike, kur ai drejtoi një divizion pushkësh që kaloi nëpër barrikadat e ngritura nga protestuesit pro-demokracisë.
Por, reputacioni i tij i pamëshirshëm u rrit në vitin 2004 kur mediat ruse raportuan se një kolonel që shërbente nën drejtimin e tij kishte vrarë veten pasi mori një qortim të ashpër nga Surovikin.
E që atëherë, kolegët e tij i kanë vënë pseudonimin e zymtë "Gjeneral Armagedon" për qasjen e tij të ashpër dhe joortodokse për të bërë luftë.
Sipas ekspertëve, sfida kryesore e Surovikin në Ukrainë, do të jetë zgjidhja e problemeve strukturore që mundojnë ushtrinë ruse pasi ajo përballet me një kundërofensivë të ashpër ukrainase.
Gleb Irisov, një ish-toger i Forcave Ajrore që punoi me Surovikin deri në vitin 2020, tha se gjenerali i ri ishte një nga të paktët njerëz në ushtri që "dinte të mbikëqyrte dhe të përmirësonte degët e ndryshme të ushtrisë".
"Ai është shumë mizor, por edhe një komandant kompetent," tha Irisov, duke shtuar se "megjithatë, ai nuk do të jetë në gjendje t'i zgjidhë të gjitha problemet pasi Rusia ka mungesë të armëve dhe fuqisë njerëzore”.
Irisov po ashtu vuri në dukje ndryshimet e mëparshme të lidershipit që kanë bërë pak për të rregulluar pasuritë ushtarake të Rusisë në Ukrainë.
Megjithatë, emërimi i Surovikin, ka zbutur një pjesë të zemërimit të publikut midis forcave të vijës së ashpër ruse, të cilët po bëheshin gjithnjë e më të paduruar me dështimet ushtarake të vendit.
Irisov tha se, që nga koha e tij në Siri, Surovikin kishte zhvilluar një marrëdhënie të mirë pune me kompaninë ushtarake private Wagner, prandaj emërimi i tij është mirëpritur nga kritikët kryesorë të përpjekjeve të luftës, duke përfshirë Ramzan Kadyrov, kreui i republikës çeçene dhe kreu i Wagner Yevgeny Prigozhin.
"Tani, jam 100% i kënaqur me operacionin," shkroi Kadyrov në kanalin e tij Telegram të hënën në mëngjes, duke iu referuar granatimeve të Kievit, ku u vranë të paktën gjashtë civilë.


