ShBA-ja i dënon sulmet ruse në Ukrainë, i cilëson brutale
Rusia është dënuar gjerësisht pas bombardimit të qyteteve ukrainase, përfshirë sulmin me raketa në qendër të kryeqytetit Kiev për herë të parë.
Shtetet e Bashkuara thanë se sulmet “brutale” kanë goditur caqe joushtarake, përfshirë një universitet dhe një hapësirë lodrash. ShBA-ja premtoi ndihma të vazhdueshme ushtarake për Ukrainën.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se është thellësisht i shokuar nga sulmet, raporton televizioni BBC. Ai i cilësoi këto sulme “një tjetër eskalim i papranueshëm i luftës”, për të cilin civilët po e paguajnë çmimin më të lartë.
Bashkimi Evropian tha se është kryer një krim lufte, ndërsa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Rusia qëndron për terror e brutalitet.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ishte njëri nga shumë udhëheqësit e huaj që folën me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe ai “u zotua që ta vazhdojë ofrimin e përkrahjes së nevojshme për Ukrainën për ta mbrojtur veten, përfshirë sistemet e avancuara të mbrojtjes ajrore”, tha Shtëpia e Bardhë.
Pas bisedës telefonike mes dy presidentëve, Zelensky u zotua për t’i fuqizuar forcat ukrainase dhe “për ta bërë fushëbetejën edhe më të dhimbshme për armikun”.
Kina dhe India, shtete që nuk e kanë dënuar luftën e Rusisë në Ukrainë, bënë thirrje për ulje të tensioneve.
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se sulmet ishin hakmarrje për shpërthimin e së shtunës në një urë kyçe, e cila e lidh Rusinë me Krimenë.
Ukraina tha se në territorin e saj janë hedhur 83 raketa, nga të cilat mbi 40 janë penguar. Në një video, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Ukraina nuk mund të frikësohet, vetëm mund të jetë më e bashkuar.
Në mesin e qyteteve ukrainase që u sulmuan nga pushtuesit rusë, ishin Lvivi, Kharkivi, Dniproja e Zaporizhia. Këto ishin ndër sulmet më të rënda në disa muaj.
Sipas zyrtarëve ukrainas, së paku 14 persona janë vrarë e dhjetëra të tjerë janë lënduar. Disa rajone kanë mbetur pa energji elektrike dhe ujë, pasi raketat e goditën infrastrukturën e energjisë.
Banorët e kryeqytetit Kiev thanë se duket që Rusia ishte duke vënë në shënjestër zona civile, të cilat ishin plot njerëz të hënën në mëngjes, përfshirë një zonë lodrash, një universitet dhe parkun e njohur, “Taras Shevchenko”.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do të zhvillojë një takim urgjent pas sulmeve të fundit të Rusisë. Edhe pse mbledhja ishte thirrur për shkak të aneksimit të katër rajoneve ukrainase nga Rusia, kjo çështje ka mbetur nën hije për shkak të sulmeve të së martës./Nacionale

