Serbia konfirmon ndalimin e paradës së LGBTQ, arsyetimi i Vuçiq: Tensionet me Kosovën
Autoritetet serbe kanë ndaluar paradën EuroPride të komunitetit LGBTQ që do të mbahej në Beograd ditën e shtunë, duke shkaktuar një protestë nga organizatorët.
EuroPride mbahet çdo vit në një vend të ndryshëm dhe kjo do të ishte hera e parë që do të organizohej në Serbi.
Por, sipas The Guardian, policia ka konfirmuar ndalimin e marshimit për këtë vit.
“Policia serbe e ndaloi marshimin e këtij viti të EuroPride duke ua dorëzuar njoftimin zyrtar organizatorëve,” kanë njoftuar nga Belgrade Pride, duke shtuar se, "do të përdoren të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për të rrëzuar këtë vendim”.
Ministria e Brendshme serbe ka konfirmuar se marshimi i EuroPride ishte i ndaluar, ashtu si edhe një kundërprotestë në të njëjtën ditë.
"Konfliktet e pakuptimta në rrugët e Beogradit... do të rrezikonin sigurinë e pjesëmarrësve të marshimit, si dhe të qytetarëve të tjerë," është shprehur ministri i Brendshëm serb, Aleksandar Vulin.
Lidhur me këtë ngjarje, tensionet në Beograd janë rritur që kur presidenti serb, Aleksandar Vuçiq bëri thirrje për anulimin e saj në fund të muajit të kaluar, duke përmendur si arsye tensionet e fundit me Kosovën si dhe shqetësimet mbi energjinë dhe ushqimin.
Megjithatë, Goran Miletiç, një nga organizatorët e ngjarjes tha se pavarësisht ndalimit, ngjarja do të mbahet.
"Ne sigurisht që do të mblidhemi dhe do të ecim siç është planifikuar," ka thënë Miletic.
E pavarësisht hapave në rritje gjatë viteve në uljen e diskriminimit, në Serbi homofobia mbetet e rrënjosur thellë dhe martesa e homoseksualëve nuk njihet ligjërisht.
Marshimet e Krenarisë së Beogradit në 2001 dhe 2010 u dëmtuan nga dhuna dhe trazirat pasi grupet e ekstremit të djathtë shënjestruan ngjarjet. Parada është organizuar më pas rregullisht nga viti 2014, por e mbrojtur me një prani të madhe të forcave të rendit.
Kujtojmë se të dielën, në Beograd poashtu u organizua një protestë me mijëra pjesëmarrës, përfshirë priftërinjë ortodoksë dhe nacionalistë të ekstremit të djathtë që kërkonin ndalimin e EuroPride.

