“Selfie” i solli vdekjen, vritet nga helika e helikopterit një turist britanik në Greqi - NACIONALE

“Selfie” i solli vdekjen, vritet nga helika e helikopterit një turist britanik në Greqi

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Një prokuror grek ka urdhëruar një hetim për vdekjen e një 21-vjeçari britanik, i cili u vra nga një teh rrotullues i rotorit pasi zbarkoi në Athinë nga një helikopter i marrë me qira nga Mykonos.

Pas tragjedisë, tre persona ishin arrestuar, por më pas gjyqtari vendosi për lirimin e tyre deri në përfundim të hetimeve.

The Guardian njofton se, hetimi për vdekjen e turistit pritet të përcillet me një shpejtësi të madhe.

"Hetimi ynë është fokusuar në neglizhencë të mundshme," tha një burim policor, i cili shtoi se “pyetje themelore janë se përse helikat nuk ishin të ndalura gjatë zbritjes së pasagjerëve nga helikopteri”.

Viktima, i identifikuar si Jack Fenton, vdiq menjëherë. Ai pas pushimeve të kaluara me prindërit e tij në Mykonos, do të kthehej në Mbretërinë e Bashkuar me një avion privat.

Mediat greke thanë se studenti i Universitetit të Oxford Brookes ishte goditur nga rotori i pasmë i helikopterit teksa po përpiqej të bënte një selfie.

Bëhet e ditur se prindërit e viktimës, ishin në një helikopter tjetër dhe se fillimisht nuk ishin në dijeni të tragjedisë.

Kalimi Mykonos-Athinë është bërë një rrugë e njohur për Superior Air, kompania e aviacionit së cilës i përkiste helikopteri luksoz që i mori jetën 21-vjeçarit.

Mykonos, është një vend që është kthyer në një magnet për njerëzit super të pasur, ku së fundmi pushimet atje i kaloi edhe Elon Musk.

Ndërsa lidhur me incidentin fatal, mediat vendase kanë raportuar se piloti i paidentifikuar mund të përballet me akuza për vrasje padashje, edhe pse kompania Superior Air u citua të thoshte se gjatë uljes në Athinë të gjitha protokollet e sigurisë ishin ndjekur.

Gazeta greke Proto Thema thotë se stafi i uljes kishte larguar pasagjerët nga avioni, por Fenton, i cili kishte qenë i pari që kishte dalë, papritur ishte kthyer prapa duke u nisur drejt helikopterit ndërsa motorët e tij ishin ende në lëvizje.

Lajme të ngjashme