Së paku 57 të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza, thonë zyrtarët palestinezë - NACIONALE

Së paku 57 të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza, thonë zyrtarët palestinezë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Forcat izraelite zhvilluan beteja me luftëtarë të udhëhequr nga Hamasi në disa pjesë të Rripit të Gazës të martën, ndërsa zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë se të paktën 57 persona u vranë nga bombardimet izraelite në zonat jugore e qendrore të enklavës.

Rafah, qytet jugor kufitar, ku forcat izraelite kanë qenë duke operuar nga maji, pesë palestinezë u vranë nga një sulm ajror në një shtëpi, thanë zyrtarët shëndetësorë në Gaza. Në qytetin Khan Younis, një burrë, një grua dhe dy fëmijë u vranë, thanë ata, raporton agjencia “Reuters”.

Më vonë të martën, një sulm ajror izraelit ndaj një veture vrau të paktën 17 palestinezë dhe plagosi 26 të tjerë në Khan Younis, thanë zyrtarët.

Sulmi ajror ndodhi afër një zone me tenda ku po strehoheshin familje të zhvendosura në Rrugën “Attar”, në zonën e përcaktuar si hapësirë humanitare në Al-Mawasi, tha Ministria e Shëndetësisë.

Ushtria izraelite tha se në shënjestër të sulmit ishte një militant i lartë i Xhihadit Islam, aleat i Hamasit.

“Ne po i shikojmë raportimet ku thuhet se disa civilë u lënduan si rezultat i sulmit” – thuhet në një deklaratë të ushtrisë izraelite.

Në pamje të agjencisë “Reuters” shiheshin banorë duke bartur kufoma dhe të plagosur në qerre me gomarë dhe në karroca drejt spitaleve.

“Vetura u shënjestrua, gjaku po spërkatej dhe copëzat e granatave i goditën tendat tona dhe martirët mbetën në rrugë. Ne bërtitëm: “Na duhet një autoambulancë.” I vendosëm [viktimat] në qerre dhe autoambulanca erdhi pas pak” – tha dëshmitari Tahrir Matir, i cili jeton në një tendë afër vendit të sulmit.

Në kampin historik “Nuseirat”, në pjesën qendrore të Gazës, të paktën katër palestinezë u vranë në sulme të ndryshme ajrore e me predha, thanë mjekët. Nga një sulm tjetër ajror izraelit u vranë katër persona në Zheikh Zayed, në veri të Gazës, thanë ata.

Disa orë më vonë, një sulm ajror izraelit ndaj një shkolle të menaxhuar nga Kombet e Bashkuara, ku po strehoheshin familje të zhvendosura në kampin “Nuseirat”, la të vrarë 23 njerëz e shumë të tjerë të plagosur, thanë zyrtarët shëndetësorë.

Në mesin e të vrarëve ishte gazetari lokal, Mohammad Meshmesh, duke e çuar në 160 numrin e gazetarëve të vrarë që nga fillimi i luftës, tha zyra mediale qeveritare në Gaza, që menaxhohet nga Hamasi./Nacionale

Lajme të ngjashme