Së paku 35 palestinezë vriten nga sulmet izraelite në Gaza, shumë prej tyre afër pikës së ndihmave
Sulmet ushtarake izraelite lanë të vrarë të paktën 35 palestinezë në Rripin e Gazës të mërkurën, shumica në një zonë të shpërndarjes së ndihmave që operohet nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, thanë zyrtarët shëndetësorë lokalë.
Zyrtarët mjekësorë në spitalet “Shifa” dhe “Al-Quds” thanë se të paktën 25 njerëz u vranë, kur po i afroheshin pikës për shpërndarjen e ndihmave afër ish-vendbanimit Netzarim, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën.
Dhjetë njerëz të tjerë u vranë nga sulme të tjera ushtarake izraelite në qytetin Khan Younis, në jug të enklavës, shtuan zyrtarët, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”. Ushtria izraelite nuk pati koment të menjëhershëm.
Të martën, kur zyrtarët shëndetësorë në Gaza thanë se 17 njerëz ishin vrarë afër një pike tjetër të ndihmave të GHF-së në Rafah, ushtria izraelite tha se kishte shkrepur të shtëna paralajmëruese për t’i mbajtur në distancë “të dyshuarit” që po u afroheshin trupave dhe po paraqisnin rrezik.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të martën se ka pasur “progres domethënës” në përpjekjet për ta siguruar lirimin e pengjeve të mbetura në Gaza, por se ishte “shumë herët” për ta shtuar shpresën për arritjen e një marrëveshjeje.
Pavarësisht nga përpjekjet e Shteteve të Bashkuara, Egjiptit dhe Katarit për arritjen e një armëpushimi në Gaza, as Izraeli, as Hamasi nuk kanë shfaqur gatishmëri për të hequr dorë nga kërkesat kryesore të tyre. Të dyja palët po e fajësojnë njëra-tjetrën për dështimin për të arritur një marrëveshje.
Dy burime brenda Hamasit i thanë agjencisë “Reuters” se nuk dinin për ndonjë ofertë të re për armëpushim./Nacionale