Së paku 20 të vdekur e qindra të lënduar nga zjarri në një depo karburantesh në Nagorno-Karabak
Të paktën 20 persona kanë vdekur dhe gati 300 të tjerë janë lënduar nga një shpërthim i fuqishëm në një depo karburantesh në rajonin Nagorno-Karabak të Azerbajxhanit, përderisa mijëra armenë etnikë po largohen nga territori në të cilin ushtria azere e shpalli kontrollin e plotë pas një ofensive të shkurtër javën e kaluar.
Autoritetet lokale armene thanë se 290 persona janë pranuar në spitale dhe se dhjetëra prej tyre ishin ende në gjendje kritike pas shpërthimit afër kryeqytetit rajonal, Stepanakert, të hënën në mbrëmje. Shkaktari i zjarrit mbetet i panjohur, raporton gazeta “The Guardian”.
Agjencia “Reuters” ka arritur që ta përcaktojë vendndodhjen e terrenit, ndërtesave dhe objekteve të tjera në pamje satelitore pas shpërthimit të zjarrit. Dhjetëra njerëz kishin qenë duke pritur në atë zonë, kur ndodhi shpërthimi, sepse u ishte premtuar furnizim me naftë, lëndë që mungonte për shkak të bllokadës 10-muajshe nga Azerbajxhani, sipas autoriteteve separatiste në Nagorno-Karabak.
Qeveria armene tha se mbi 13 mijë e 550 banorë të Nagorno-Karabakut tashmë kishin ikur për në Armeni deri të martën në mëngjes. Moska tha se trupat paqeruajtëse ruse në Nagorno-Karabak po asistojnë për evakuimin e banorëve.
Shpërthimi në depo ndodhi disa orë pas rundit të dytë të bisedimeve mes zyrtarëve azerë dhe përfaqësuesve të separatistëve në qytezën Khojaly, në veri të kryeqytetit të Nagorno-Karabakut. Rundi i parë i bisedimeve ishte zhvilluar javën e kaluar. Zyra e presidentit të Azerbajxhanit tha në një deklaratë se bisedimet ishin zhvilluar në “një atmosferë konstruktive” dhe se diskutimet ishin të përqendruara në ndihma humanitare për rajonin dhe në shërbime mjekësore.
Ministria e Mbrojtjes e Azerbjaxhnait tha të hnënë se dy ushtarë të saj ishin vrarë të dielën, kur një kamion ushtarak ra në një minë tokësore. Kjo ministri nuk e përmendi zonën ku kishte ndodhur shpërthimi.
Në një adresim para kombit të dielën, kryeministri armen, Nikol Pashinian, tha se qeveria e tij ishte duke punuar me partnerë ndërkombëtarë për t’i mbrojtur të drejtat dhe sigurinë e armenëve në Nagorno-Karabak.
