S’dorëzohet Italia, e rinis gjyqin kundër 4 oficerëve egjiptianë për vrasjen e studentit Giulio Regeni
Gjyqi kundër katër agjentëve egjiptianë të sigurisë, të akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e studentit italian, Giulio Regeni, në Kajro rinisi të martën në Romë pas një shtyrjeje të gjatë për shkak të pyetjeve rreth ligjshmërisë së procedurës.
Regeni, student i Universitetit të Cambridge-it në Britani, ishte zhdukur në kryeqytetin egjiptian në janar të vitit 2016. Trupi i tij ishte gjetur gati një javë më pas, ndërsa ekzaminimet pas vdekjes kanë treguar se ai ishte torturuar para vdekjes, raporton agjencia “Reuters”.
Prokurorët italianë dyshojnë se katër zyrtarët egjiptianë ishin të përfshirë në vrasjen e tij, por nuk kanë arritur që t’i gjejnë për të lëshuar urdhëresa për paraqitje në seanca. Si rezultat i kësaj, të akuzuarit po gjykohen në mungesë.
Procedurat fillimisht kishin nisur në tetor të vitit 2021, por ishin pezulluar menjëherë, pasi një gjykatës kishte pyetur nëse gjykimi do të ishte legjitim, nëse nuk ishte e qartë që të akuzuarit as nuk ishin të vetëdijshëm se ndaj tyre ishte ngritur aktakuza.
Gjykata më e lartë në Itali e kishte hedhur poshtë këtë shqetësim vitin e kaluar, duke thënë se dështimi i Egjiptit për të bashkëpunuar rreth lokalizimit të të dyshuarve nuk duhet ta pengojë gjykimin.
Prokurorët italianë dhe egjiptianë e kanë hetuar rastin së bashku, por kanë ardhur në konkluzione të ndryshme.
Egjipti ka thënë se vrasja e studentit italian është vepër e bandave kriminale dhe ka mohuar çfarëdo përfshirje shtetërore në zhdukjen ose vdekjen e Regenit.
Në anën tjetër, prokurorët italianë thonë se major Magdi Sharif, nga Inteligjenca e Përgjithshme e Egjiptit, Gjeneral Major Tarek Sabir, ish-shef i sigurisë shtetërore, koloneli policor Hisham Helmy dhe koloneli Ather Kamal, ish-drejtor i hetimeve në qytetin e Kajros, janë përgjegjës për “rrëmbimin e rënduar” të Regenit.
Sharif-i është akuzuar edhe për “konspiracion për të kryer vrasje të rënduar”.
Këta katër persona kurrë nuk janë përgjigjur publikisht për këto akuza.
Regeni ndodhej në Kajro për hulumtim rreth sindikatave të pavarura të Egjiptit për temën e tij të doktoratës. Bashkëpunëtorët thonë se ai ishte i interesuar edhe për mbizotërimin e gjatë të shtetit dhe ushtrisë në ekonominë e Egjiptit. Të dyja këto tema janë të ndjeshme në Egjipt.
Prokurorët thonë se kanë dëshmi që Sharif-i kishte angazhuar informatorë për ta përcjellë Regenit dhe për ta arrestuar në një stacion të metros në Kajro. Në aktakuzë thuhet se Sharif-i dhe disa zyrtarë të tjerë të paidentifikuar egjiptianë pastaj e kishin torturuar studentin italian për disa ditë, duke i shkaktuar “dhimbje fizike akute”.