Rusia thotë se trupat e huaja të dërguara në Ukrainë pas një pakti të paqes do të ishin cak legjitim - NACIONALE

Rusia thotë se trupat e huaja të dërguara në Ukrainë pas një pakti të paqes do të ishin cak legjitim

1 orë më parë

nga NACIONALE

Rusia tha të mërkurën se çfarëdo force shumëkombëshe e dërguar nga aleatët e Ukrainës në territorin e saj në rast të ndonjë pakti të paqes do të ishte e papranueshme për Moskën, e cila do ta shihet atë si kërcënim dhe cak legjitim ushtarak.

Aleatët perëndimorë të “koalicionit të vullnetmirëve” u takuan në Paris këtë javë dhe e ripohuan synimin e tyre për të dislokuar një forcë të tillë pas ndërprerjes së armiqësive, me qëllim që të sigurohet Ukraina dhe të ndihmohet për rigjenerimin e forcave të saj, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ata gjithashtu thanë se muajve në vijim do të mbahen ushtrime për ta dëshmuar aftësinë e forcës së planifikuar, e njohur si Forca Shumëkombëshe për Ukrainën (MNF-U) për të vepruar.

“Në këtë kontekst, ne do të donim që të përsërisnim që dislokimi i çfarëdo kontingjenti ushtarak nga shtetet e të ashtuquajtur “koalicion i vullnetmirëve” në Ukrainë është i papranueshëm për vendin tonë” – tha para gazetarëve zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.

“Përsëris: kjo do të përbënte, de fakto, ndërhyrje të huaj dhe përshkallëzim të kërcënimeve ndaj sigurisë së Rusisë. Ne do t’i vlerësonim njësitet e tilla si caqe ushtarake legjitime” – shtoi ajo.

Lajme të ngjashme