Rusia thotë se ka rrëzuar katër dronë ukrainas në rajonin e Moskës dhe në kufi me Ukrainën - NACIONALE

Rusia thotë se ka rrëzuar katër dronë ukrainas në rajonin e Moskës dhe në kufi me Ukrainën

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të martën se forcat e sigurisë kanë rrëzuar dy dronë ukrainas mbi rajonin e Moskës pa pasoja në njerëz si dhe dy dronë të tjerë në rajonin e Brianskut, që kufizohet me Ukrainën.

Një reporter i agjencisë “Reuters” në qytezën Krasnogorsk të rajonit të Moskës, ku ndodhet qeveria rajonale e Moskës, pa dëme të vogla ndaj tjegullave të një ndërtese të lartë banimi dhe dritare të thyera në disa banesa të saj.

Mbetjet e dronëve shkaktuan edhe dëme të tjera të vogla, si xhamat e thyer të veturave që ishin parkuar afër ndërtesës. Policia e kishte rrethuar vendin e ngjarjes dhe hetuesit e shërbimit të sigurisë, FSB, mblodhën disa pjesë që dukeshin si copëza dronësh.

Nuk pati koment të menjëhershëm nga Ukraina, e cila rrallë e merr përgjegjësinë për sulmet me dronë në territorin rus ose në zonat e kontrolluara nga Rusia, por e cila duket se i ka shtuar sulmet e tilla që nga shkatërrimi i dy dronëve mbi Kremlin në fillim të majit.

Sulme të tilla nganjëherë kanë penguar fluturime në pjesë të ndryshme të Rusisë dhe kanë shkaktuar dëme kryesisht të vogla në ndërtesa. Të paktën dy persona u lënduan një ditë më parë, kur disa pjesë të një droni ukrainas të shkatërruar nga mbrojtja ajrore ruse ranë në një shtëpi në rajonin e Moskës, sipas guvernatorit rajonal.

Një reportere e agjencisë “Reuters” në distriktin Odintsovo afër vendbanimit Chastsy, në perëndim të Moskës, ku njëri nga dronët u rrëzua në orët e hershme të mëngjesit të së martës, dëgjoi katër shpërthime pak pas orës 3 të mëngjesit.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se askush nuk është lënduar nga sulmi më i ri. “Sonte u parandalua një përpjekje nga regjimi i Kievit për të kryer sulme terroriste duke përdorur automjete ajrore pa pilotë. Dy dronë u vërejtën dhe u shkatërruan nga sistemet e mbrojtjes ajrore mbi territorin e rajonit të Moskës”- thuhet në një deklaratë të kësaj ministrie.

Hapësira ajrore mbi kryeqytetin rus u mbyll për një kohë të shkurtër dhe tri aeroporte në Moskë i pezulluan fluturimet, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, TASS.

Lajme të ngjashme