Rusia thotë se ka rrëzuar tre dronë ukrainas mbi rajonin rus, Kaluga
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të mërkurën se ka rrëzuar tre dronë ukrainas në jugperëndim të Moskës.
Ukraina nisi një sulm në orën 5 të mëngjesit duke përdorur “tre automjete ajrore pa pilotë ndaj objekteve në rajonin Kaluga”- tha kjo ministri në rrjetin “Telegram”.
“Të gjitha automjetet ajrore pa pilotë u vërejtën dhe u shkatërruan me kohë nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore”- thuhet më tej në deklaratë.
Guvernatori i rajonit Kaluga tha se dronët u rrëzuan në pjesën jugore të kësaj njësie administrative, disa qindra kilometra në jugperëndim të Moskës.
“Nuk ka pasoja për njerëzit dhe infrastrukturën”- tha guvernatori Vladislav Shapsha në rrjetin “Telegram”.
Ky sulm ajror është të paktën i pesti këtë muaj në rajonin Kaluga për të cilin Rusia thotë se e ka zmbrapsur.
Ndërkohë Ukraina ka pretenduar se e ka çliruar fshatin Urozhaine në rajonin e Donetskut. “Urozhaine u çlirua. Mbrojtësit tanë janë rrënjosur në periferi”- shkroi në rrjetin “Telegram” zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar.
