Ukraina do të bëhet me sistemin gjerman të dronëve "Luna" e me sistem norvegjez anti-dron
Kompania norvegjeze, “Kongsberg Defence & Aerospace” ka nënshkruar një kontratë me vlerë të 71 milionë dollarëve me Fondin Ndërkombëtar për Ukrainën për furnizimin e këtij shteti me sisteme të mbrojtjes ajrore, njoftoi vetë kompania të hënën.
Sistemet Ajrore Kundër Pajisjeve pa Pilotë (C-UAS) do të “ofrojnë fuqizim të konsiderueshëm të aftësive për Forcat e Armatosura të Ukrainës dhe do ta mbështetin aftësinë e tyre për ta mbrojtur popullin e vet dhe vendin e vet kundër rreziqeve ajrore”- tha në një deklaratë shefi i kompanisë norvegjeze, Eirik Lie, raporton televizioni CNN.
Këto sisteme “janë të zhvilluara për t’iu kundërvënë një spektri të gjerë të automjeteve ajrore pa pilotë me zgjidhje ose për t’i dëmtuar fizikisht, ose për ta bërë të paaftë rrezikun ajror”- thuhet më tej në deklaratë.
Ndërkohë prodhuesi gjerman i armëve, “Rheinmetall”, do t’i japë Ukrainës një sistem të dronëve vëzhgues “Luna New Generation” gjatë këtij viti, siç thuhet në një deklaratë të publikuar të dielën.
Ky sistem dronësh përbëhet nga një stacion tokësor i kontrollit dhe disa dronë dhe do të mund të “vërejë, klasifikojë dhe njohë objekte në kohë reale”- thuhet në deklaratë.
Prodhuesi gjerman tha se kjo dërgesë e ka vlerën e “një sasie të ulët dyshifrore të miliona eurove”.
