ShBA-ja ndan 1,3 miliard dollarë shtesë për Ukrainën, përfshihen dronët sulmues - NACIONALE

ShBA-ja ndan 1,3 miliard dollarë shtesë për Ukrainën, përfshihen dronët sulmues

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara janë zotuar për furnizimin e Ukrainës me më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe me dronë sulmues përmes pakos të re të ndihmës me vlerë të 1,3 miliard dollarëve, të publikuar të mërkurën, sipas Departamentit të Mbrojtjes.

Në pako përfshihen katër sisteme të mbrojtjes ajrore NASAMS, të cilat kanë rreze të mesme veprime dhe që tashmë e kanë ndihmuar Ukrainën që t’u bëjë ballë sulmeve ruse me raketa dhe dronë. Ky sistem përdoret për t’i mbrojtur Uashingtonin dhe zonën përreth tij në ShBA.

Sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Lloyd Austin, tha në nëntorin e vitit të kaluar se sistemet NASAMS kanë 100 për qind sukses për t’i penguar sulmet ruse, raporton televizioni CNN.

Të martën, pas një takimi ndërkombëtar të vendeve që i ofrojnë ndihmë Ukrainës, zyrtari i lartë amerikan tha: “Mos bëni gabim, ne jemi të përkushtuar për ta përkrahur luftën e Ukrainës për liri aq gjatë sa të jetë e nevojshme.”

Në pakon e re përfshihen edhe dronët sulmues të llojeve “Phoenix Ghost” dhe “Switchblade” si dhe pajisje kundër dronëve.

Njoftimi për pakon e re të ndihmës amerikane erdhi në kohën kur kundërsulmi i forcave ukrainase po vazhdon, por i cili ka hasur në rezistencë të ashpër të armikut dhe në shumë fusha me mina, që e kanë ngadalësuar përparimin e ukrainasve.

Pritet që Shtetet e Bashkuara të njoftojnë edhe një pako tjetër ndihme me vlerë të 400 milionë dollarëve, në të cilën do të përfshihet municioni për sistemet NASAMS, municioni për sistemet “Patriot” dhe raketahedhësit HIMARS.

Lajme të ngjashme